Temperatura deri në -32°C/ 87 viktima nga moti i acartë në SHBA

Stuhitë e dëborës kanë goditur bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Teksasi në Nju Xhersi.
87 persona humbën jetën në Virxhinia, ndërkohë që temperaturat kanë rënë deri – 32 gradë.
Shkaqet e vdekjes përfshijnë hipoterminë, helmimin nga monoksidi i karbonit, si dhe aksidentet rrugore. Stuhi dëbore përfshinë edhe Juglindjen e vendit, si dhe pjesën më të madhe të Bregut Lindor, duke lënë dhjetëra mijëra shtëpi dhe biznese pa energji elektrike.
Meteorologët paralajmërojnë reshje dëbore me trashësi disa centimetra, si dhe temperatura nën zero.
Priten reshje të dendura dëbore në Karolinën e Jugut dhe të Veriut, Virxhinia dhe Xhorxhian verilindore.
Në Karolinën e Veriut mbeten në fuqi paralajmërimet për stuhi, ndërkohë që u raportuan më shumë se 200 aksidente rrugore.
Më shumë se 174 mijë shtëpi dhe biznese, kryesisht në Misisipi dhe Tenesi, kanë mbetur pa energji elektrike për ditë me rradhë.
Më shumë se 41 mijë njerëz mbetën pa energji elektrike në Nashville, ndërsa guvernatori i Tenesit, Bill Lee, iu kërkoi banorëve që të prisnin një afat të qartë për rikthimin e energjisë elektrike.
Bora shkaktoi ndërprerje të mëdha të trafikut ajror, me më shumë se 2 mijë 400 fluturime që u anuluan.
Në Nju Jork, për shkak të temperaturave të ulëta, kabllot e metrosë ranë duke dëmtuar makinat e parkuara, ndërkohë që ekipet e emergjencës po punojnë për të shkrirë borën.
Në Uashington, Garda Kombëtare është e angazhuar në heqjen e borës dhe akullit nga ndërtesat shkollore.
Në shtetet jugore, përfshirë Floridën, pritet të godasë një i ftohtë shumë i acartë, me temperaturat më të ulëta në dekada, ndërsa banorët përgatiten për mot edhe më të acartë.