E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi 700 mijë euro/ Përjashtimi i “Bonus” hedh hije mbi procedurën e Bashkisë së Kamzës

Procedurat e prokurimit publik në Bashkinë e Kamzës kanë rikthyer debatet mbi transparencën e tenderëve, pas zhvillimeve që lidhen me një kontratë me vlerë rreth 700 mijë euro për ndërtimin e rrugëve në zonat Bathore, Valias dhe Laknas.

Tenderi, me fond limit 67,954,583 lekë, u zhvillua gjatë vitit 2025 dhe synonte realizimin e punimeve infrastrukturore brenda një afati prej 115 ditësh. Në garë morën pjesë mbi dhjetë operatorë ekonomikë, ndërsa fituese u shpall kompania “Bonus” sh.p.k.

Gjatë fazës së zhvillimit të procedurës, një prej operatorëve pjesëmarrës paraqiti ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, duke pretenduar se disa nga kriteret e tenderit favorizonin një subjekt të caktuar. KPP pranoi pjesërisht ankesën dhe kërkoi nga autoriteti kontraktor rishikimin e dokumenteve të procedurës.

Pavarësisht ndryshimeve të kërkuara, tenderi përfundoi me shpalljen fituese të të njëjtës kompani, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe mbi transparencën e saj.

Çështja mori një tjetër zhvillim në korrik 2026, kur Agjencia e Prokurimit Publik vendosi të përjashtojë kompaninë “Bonus” nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë 6-mujore. Sipas vendimit të APP-së, masa u mor pasi gjatë procedimit administrativ u konstatua se operatori kishte paraqitur të dhëna të pasakta në dokumentacionin e përdorur për kualifikim në tenderin e Bashkisë së Kamzës.

Sipas njoftimit zyrtar të APP-së, procedimi nisi mbi bazën e informacionit të shkëmbyer me Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Në përfundim të verifikimeve, Agjencia vendosi zbatimin e masës së parashikuar nga ligji për prokurimin publik, duke e përjashtuar kompaninë nga pjesëmarrja në tenderë për gjashtë muaj.

Nga të dhënat e prokurimeve publike rezulton se “Bonus” ka përfituar ndër vite një numër kontratash për punime infrastrukturore, kryesisht në Bashkinë e Kamzës, por edhe në bashki të tjera, si Dibra dhe Bulqiza. Kontratat kanë përfshirë ndërtim rrugësh, sistemime infrastrukturore dhe kanale ujitëse.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›