Tensionet në Kuvend, PD bllokon sërish foltoren

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Seanca plenare u ndërpre sërish sot pasi deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren Kuvendit pas debateve lidhur me masën “arrest shtëpie”, marrë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj ish-kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha se se siguria kombëtare është cenuar teksa shtoi se shërbimet e sigurisë në Shqipëri janë vendosur nën ndikimin e strukturave kriminale.
Noka kërkoi që kryeministri të paraqitet në Kuvend për të dhënë llogari teksa kërkoi edhe dorëheqjen e tij.
“Duhet të vijë kreu i narkosit këtu dhe të japë llogari për cenimin e sigurisë kombëtare dhe të sigurisë së NATO-s dhe të japë dorëheqjen”, tha ai.
Ndërkohë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se që çështja e drejtoreshës së shkarkuar të Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni duhe të trajtohet me seriozitetin që i takon sigurisë kombëtare dhe për të të ketë diskutime urgjente në Konferencën e Kryetarëve.
“Duhet të bëhet diskutim në konferencën e Kryetarëve, të kërkohet informacioni, nga Kryeministri, Presidenti, SHISH, se si është përzgjedhur, si është shkarkuar kjo zonjë nga Shërbimi Informativ i Kosovës. Por nëse kjo seancë vazhdon kështu atëherë kemi zhbërë parlamentarizmin, është një dëm i madh për sigurinë kombëtare”, tha ai.
Deputetja Jorida Tabaku tha se ky rast ka treguar se shteti është prej kartoni dhe parlamenti s’mund të sillet sikur s’ka ndodhur asgjë.
“Sot duhet të ishte ngritur në këmbë gjithë shteti shqiptar. U bëj thirrje gjithë vendeve anëtare të NATO-s, të marrin informacion çfarë ka ndodhur me sigurinë kombëtare. Sot është cenuar rëndë imazhi i Shqipërisë. Kjo njollë nuk zhbëhet lehtë. Ky parlament nuk sillet dot sikur s’ka ndodhur asgjë. Duhet të ngrihet në lartësinë që kërkon sot Shqipëria”, tha ajo.
Seanca u ndërpre për pak minuta, pasi sekretari i përgjthshëm i PD-së, Flamur Noka, bllokoi foltoren duke mos lejuar ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, që të marrë fjalën.
Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 7/m.q/j.p/r.e/