Tentoi të vriste bashkëshorten, vihet në pranga 76-vjeçari në Durrës

Një ngjarje e rëndë u parandalua në Durrës, ku Policia arrestoi në flagrancë një 76-vjeçar që tentoi të vriste bashkëshorten e tij.
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 17, ku pas një konflikti për motive të dobëta, i moshuari ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, 70-vjeçares F. D., duke e goditur me një shkop druri në kokë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për rastin e dhunës në familje, shkuan në adresën e dhënë dhe ndërhynë në kohë, duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës me pasoja të rënda për jetën.
Në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, u bë arrestimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. R., 76 vjeç.
Si pasojë e goditjeve, bashkëshortja e tij ka pësuar dëmtime të rënda fizike dhe u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e veprimeve të paligjshme të autorit.
/rtsh.al/