E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti godet Japoninë, të paktën 37 persona të plagosur

Një tërmet me magnitudë 5.9 goditi Japoninë mëngjesin e kësaj të diele, duke shkaktuar lëkundje të forta dhe duke plagosur të paktën 37 persona. Tërmeti u regjistrua në pjesën jugore të prefekturës Ibaraki, pranë Tokios, në një thellësi prej rreth 68 kilometrash.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se nuk kishte rrezik për cunam. Agjencia japoneze për Menaxhimin e Zjarreve dhe Fatkeqësive njoftoi se 37 persona mbetën të plagosur, ndërsa një prej tyre është në gjendje të rëndë. Një ndërtesë u dëmtua në prefekturën Saitama.

Lëkundjet u ndjenë edhe në Tokio dhe në prefekturat Ibaraki, Saitama dhe Chiba. Për shkak të tërmetit, disa shërbime hekurudhore në zonat përreth Tokios u ndërprenë ose patën vonesa. Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, tha se autoritetet po vlerësojnë dëmet dhe po marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Ajo u bëri thirrje banorëve në zonat ku lëkundjet ishin më të forta që të qëndrojnë vigjilentë, pasi ekziston mundësia e një tjetër tërmeti me magnitudë të ngjashme. Takaichi tha gjithashtu se autoritetet do të vijojnë të informojnë publikun në kohë dhe me të dhëna të sakta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›