E Hënë, 2 Nëntor 2026

“The Telegraph”: Vuçiç akuzohet për pjesëmarrje në “safari snajperësh” që vrisnin civilë në Sarajevë

LONDËR, 21 nëntor /ATSH/- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç thuhet se ka qenë i pranishëm në vendndodhjen ushtarake nga ku të huajt dyshohet se kanë qëlluar mbi banorët e qytetit gjatë Luftës së Bosnjë-Hercegovinës, sipas britanikes “The Telegraph”.

Vuçiç është akuzuar për përfshirje në “safari snajperësh” në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjë-Hercegovinës, në të cilat të huaj të pasur dyshohet se kanë paguar shuma të mëdha parash për të qëlluar ndaj civilëve.

Ai dyshohet se ka qenë i pranishëm në një nga pozicionet ushtarake mbi qytet nga ku thuhet se të huajt kanë paguar për të qëlluar banorët e tij gjatë rrethimit nga viti 1992 deri në vitin 1996.

Janë shfaqur gjithashtu pamje në video që tregojnë Vuçiç – një i ri duke udhëtuar në një automjet me katër rrota aktive, i cili kishte, në bagazhin e tij, një kafkë njerëzore me një helmetë blu paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Akuzat kundër Vuçiç – të cilat ai i ka mohuar me forcë – janë bërë nga Domagoj Margetiç, një gazetar investigativ kroat.

Ai ka paraqitur një ankesë kundër presidentit te prokurorët italianë, të cilët tashmë po hetojnë akuzat se italianët, rusët dhe amerikanët kanë marrë pjesë në “safari me snajperë” gjatë konfliktit.

“E kam informuar zyrën e prokurorit publik për të gjitha njohuritë e mia në lidhje me lidhjen e Aleksandar Vuçiç lidhur me “safaritë njerëzore” në Sarajevën e kohës së luftës”, tha Margetic.

“Kam bashkëngjitur të gjitha provat, materialet me video, dokumentacionin fotografik, dokumentacionin audio dhe video, si dhe dokumentacionin mediatik nga ajo kohë”, shtoi ai.

Margetic pretendon se Vuçiç ka qënë anëtar i një njësie paraushtarake, nën kontrollin e “Partisë Radikale Serbe” nga Serbia, gjatë luftës në vitet 1992 dhe 1993.

“Njësia ishte e stacionuar në një pozicion lufte… në varrezat hebraike në Sarajevë. Varrezat u përdorën si pozicion snajperi nga forcat serbe”, tha Margetic.

Më shumë se 10 000 njerëz u vranë nga bombardimet dhe zjarri i snajperëve gjatë rrethimit.

Margetic citoi pamjet me video nga viti 1993 – që tregonin Vuçiç duke mbajtur një pushkë.

Mbështetësit e udhëheqësit serb i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe thanë se objekti në pamjet filmike ishte një trekëmbësh për kamerën, të cilin Vuçiç e mbante me vete sepse në atë kohë punonte si gazetar.

Ndërsa, Vuçiç tha se objekti që shfaqej në video ishte një çadër.

Prokurorët në Milano hapën hetimin e tyre pasi morën informacione që pretendonin se midis të huajve të pasur ishin edhe italianë – që paguanin për të qëlluar mbi civilët boshnjakë, me një shpërblim të vënë mbi gratë, fëmijët dhe burrat me uniformë.

“Turistët e luftës” dyshohet se u lejuan të qëllonin mbi civilët nga milicitë serbe të Bosnjës nën komandën e Radovan Karaxhiçit.

“Pretendimet e paraqitura nga gazetari kroat, Domagoj Margetiç përfaqësojnë një rast të dezinformimit dashakeq, të ndërtuar me qëllim për të gërryer besueshmërinë institucionale të Republikës së Serbisë dhe presidentit të saj”, tha për “The Telegraph”, Suzana Vasiljeviç, një zëdhënëse e presidentit.

“Presidenti Vuçiç nuk mori pjesë në aktivitete luftarake, nuk përdori armë dhe nuk pati asnjë rol në asnjë operacion lufte”, shtoi ajo.

Sipas saj, akuzat ishin të motivuara politikisht dhe një përpjekje për të minuar reputacionin ndërkombëtar të Serbisë.

Një dokumentar i quajtur “Sarajevo Safari”, i publikuar në vitin 2022 – nga një regjisor slloven – bëri akuza të ngjashme për të huajt në “safaritë e luftës”.

Pretendimet se të huajt e pasur udhëtuan në Sarajevë për “safari snajperësh” janë mbështetur nga një ish-diplomat italian,Michael Giffoni, i cili ishte zëvendëskryetar i misionit diplomatik të Italisë në Sarajevë në vitin 1994.

“SISMI, një agjenci italiane e inteligjencës, u informua për turizmin e luftës dhe, në bashkëpunim me inteligjencën boshnjake, arriti të ndalonte mbërritjen e italianëve”,sipas “La Repubblica”.

“Megjithatë, autoritetet italiane nuk ishin në gjendje të identifikonin asnjë nga qytetarët e tyre që dyshohet se morën pjesë në të shtënat e civilëve. Nëse do të kishim pasur një emër, do t’i kishim ndjekur penalisht,” tha Giffoni.

Ekspertët e Ballkanit thanë se akuzat mund të jenë të vërteta, por duhen trajtuar me kujdes. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›