Tifozët futen në fushë në sfidën Flamurtari-Teuta, ndeshja mbyllet në barazim

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Sfida mes Flamurtarit dhe Teutës, që mbylli ditën e parë të javës së 17-të të Superligës, përfundoi në barazim 2-2. Një ndeshje që dhuroi emocione deri në sekondat e fundit të lojës dhe që u shoqërua edhe me një ndërprerje për afro 30 minuta, pasi tifozët vendas hynë në fushë duke shkaktuar problematika.
Ndeshja mes dy skuadrave bregdetare nisi me avantazhin e durrsakëve, të cilët gjetën golin në minutën e 21-të përmes Muço Bocit. Teksa loja vijonte me raste nga të dyja anët, në minutën e 69-të disa tifozë vendas kapërcyen gardhet rrethuese të tribunës përballë dhe u përleshën me disa futbollistë të Teutës. Në fushë pati tension të shtuar dhe ndeshja u ndërpre për afro 30 minuta, me policinë që mori nën kontroll situatën.
Arbitri Eldorian Hamiti u tërhoq në dhomat e zhveshjes dhe kushti për rinisjen e sfidës, edhe sipas delegatit të ndeshjes, ishte zbrazja e tribunës përballë nga tifozët.
Pas largimit të tifozëve nga stadiumi dhe pas rreth 30 minutash ndërprerje, sfida rinisi. Me rifillimin e lojës, në minutën e 78-të Flamurtari barazoi shifrat me Çatakias, ndërsa Oshafios në minutën e 90-të i dha avantazhin vendasve. Ky avantazh zgjati vetëm shtatë minuta, pasi në sekondat e fundit të sfidës Jazxhi shënoi golin e barazimit për durrsakët.
Ky barazim i lë skuadrat në të njëjtat pozicione në renditje: Flamurtarin në vendin e parafundit me 14 pikë dhe Teutën në vendin e pestë me 25 pikë.
Java e 17-të e Superligës
Ora 16:30, Egnatia – Partizani 2-1
Ora 16:30, Dinamo City – Vora 2-1
Ora 19:30, Flamurtari – Teuta 2-2
Të shtunën
Ora 13:30, Bylis – Elbasani
Ora 13:30, Tirana – Vllaznia
Klasifikimi:
Egnatia 34 pikë
Elbasani 32 pikë
Dinamo City 29 pikë
Vllaznia 26 pikë
Teuta 25 pikë
Partizani 23 pikë
Vora 16 pikë
Bylis 15 pikë
Flamurtari 14 pikë
Tirana 8 pikë
*Egnatia, Partizani, Vora, Dinamo City, Flamurtari dhe Teuta kanë një ndeshje më shumë.