Tirana tërheq vizitorë nga e gjithë bota me ofertën kulturore dhe historike

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Turistë nga e gjithë bota gjithnjë e më shumë po zgjedhin Tiranën, si destinacion për pushimet e tyre, duke e kthyer kryeqytetitn në një pikë të rëndësishme në hartën turistike ndërkombëtare.
Temperaturat e favorshme këtë fillim maji dhe moti i ngrohtë kanë qenë nxitje edhe më shumë për turistët e huaj që të shijojnë diellin e Tiranës, mes historisë, kulinarisë, zhvillimeve arkitekturore, trashëgimisë dhe siteve kulturore, etj.
Agjencia Telegrafike Shqiptare ndan pamje nga sheshi “Skënderbej”, i populluar nga turistë nga e gjithë bota, që nisin rrugëtimin e tyre për të eksploruar kryeqytetin, duke shijuar atraksionet kulturore e historike të kryeqytetit.
Të “armatosur” me aparate fotografike dhe kamera në duar, për të fiksuar momentet e bukura të vizitës së tyre në Tiranë, por edhe monumentet e ndryshme, pamjet, rrugët historike, zhvillimin arkitekturor, por edhe duke ndjekur aktivitete gjatë ditës e deri në mbrëmje, turistët shijojnë një alternativë argëtimi ndryshe në kryeqytetin shqiptar.
Turistët janë të pranishëm në çdo cep të kryeqytetit, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri te muzetë dhe sitet historike, ku njihen më nga afër me traditën dhe kulturën shqiptare.
Sot, Tirana konsiderohet një nga qytetet më dinamike në Evropën Juglindore, duke ofruar një përzierje unike të turizmit kulturor, historik, arkitekturor, kulinar dhe të aventurës, por edhe të jetës së natës, apo turizmit të koncerteve. Tirana është shndërruar vitet e fundit në një ofertë turistike unike, e cila mund të shijohet në të gjitha ditët e vitit.
Ndër pikat më të vizituara në kryeqytet dhe rrethinat e tij përfshihen Mozaiku i Tiranës, Kalaja, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, por edhe muzetë kryesorë si Muzeu Historik Kombëtar dhe Shtëpia me Gjethe. Jeta e natës e fokusuar në zonë e ish-Bllokut, aktivitetet kulturore, koncertet dhe atraksionet e tjera përbëjnë një mundës argëtimi natë e ditë për të gjitha moshat.
Por përtej Tiranës, e gjithë Shqipëria po ofron një përvojë të larmishme turistike, që përfshin kulturën, artin, historinë dhe kulinarinë, duke u kthyer në një atraksion gjithëvjetor në listën e zgjedhjeve për pushime të turistëve të huaj.
Tirana, por edhe Shqipëria po spikasin si alternativa të sigurta dhe gjithnjë e më tërheqëse për turizmin gjithëvjetor. Nga natyra te trashëgimia kulturore, mikpritja, kulinaria dhe jeta artistike, oferta turistike shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës.
Turistët e huaj në Tiranë; Foto: Florian Abazaj 1 nga 34/e.i/r.e/a.f/