E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, arrestohet 20-vjeçari, përplasi makinën e policisë gjatë ndjekjes

Një 20-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi kreu manovra të rrezikshme me automjetin e tij dhe më pas u përplas qëllimisht me një automjet policie, duke rrezikuar jetën e efektivëve të rendit.

Ngjarja ndodhi në rrugën “Dervish Hima”, ku specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 konstatuan shtetasin A. S., 20 vjeç, duke kryer manovra të rrezikshme në trafik.

Sipas njoftimit zyrtar, në momentin që i është bërë shenjë ndalimi, i riu ka shtuar shpejtësinë në mënyrë të menjëhershme dhe ka goditur automjetin e Policisë, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve që ndodheshin në mjet.

Menjëherë pas ndalimit, ai është shoqëruar në ambientet e komisariatit dhe është arrestuar në flagrancë për disa vepra penale, përfshirë kundërshtimin e punonjësve të rendit dhe shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›