E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, goditet grupi kriminal që shiste armë zjarri

TIRANË, 21 janar/ATSh/ Në kuadër të operacionit “Anëtarët”, policia e Tiranës njoftoi sot se pas tre muajve hetime, goditi një grup kriminal i cili shiste armë zjarri.

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit: I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje; A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim; A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.

Gjatë operacionit, sipas policisë u kapën në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur dy armë zjarri kallashnikov.

Policia bëri të ditur se nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk. Në kuadër të operacionit u sekuestruan pesë armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në zonat e Tufinës dhe të “Freskut”.

Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›