Tiranë, qytetarët në ditën e shtatë të protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë po zhvillojnë sot, për të shtatën ditë me radhë, protestën kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.
Fillimisht qytetarët u grumbulluan në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.
Me flamuj në duar dhe pankarta të ndryshme, “Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet”, “Rama në burg, Berisha në burg“, Është koha për dorëheqje”, “Shqipëria nuk është në shitje” etj, protestuesit kërkojnë anulimin e projekteve të dyshimta, mbrojtjen e pasurive kombëtare dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në foltoren e vendosur para godinës së kryeministrisë qytetarët dhe aktivistë mbajtën fjalë duke shprehur revoltën e tyre kundër investimit, por edhe duke përcjell mesazhe të ndryshme.
“Jemi për Shqipërinë dhe jo për partitë politike”, u shpreh njëri prej protestuesve që mori fjalën.
Pjesëmarrësit kanë theksuar se nuk pranojnë parti politike në këtë protestë të cilën e cilësojnë si një revolucion.
“Ne duam që Shqipëria të zhvillohet, nuk jemi kundër investimeve. Por nuk duam që Shqipëria të shitet, duam transparencë”, tha një tjetër qytetare.
Protestuesve iu adresua edhe një qytetar i ardhur nga Prishtina, i cili u kërkoi të mos tërhiqen se do të fitojnë. “Kosova është me ju, Kosova është me nënën Shqipëri”, tha i riu.
Një tjetër protestuese u bëri thirrje intelektualëve që t’i bashkohet protestës së të rinjve dhe të mos i lënë vetëm si në vitin 2018. Ajo tha se të rinjtë i kanë dhënë shpresë Shqipërisë.
Protestuesve iu bashkua edhe një mësues historie i cili u shpreh se koha e ankesave nëpër salla mësuesish duhet të marrë fund dhe se sheshi është vendi ku shkruhet historia sot.
Gjatë protestës, u tentua ndezja e disa flakadanëve, por pati reagime të menjëhershme ku u bë thirrje që t’i fikin. “Fikini flakadanët, suksesi i protestës është familja. Ju lutëm fikni flakadanët”, u apelua nga aktivistët e protestës.
Gjithashtu, gjatë protestës u shfaq edhe një mesazh përmes flamurit kuqezi “Çamëria është gjallë” shoqëruar edhe me këngë e valle nga protestuesit.
Ndërsa prindërit të cilët kishin fëmijë të vegjël me vete në protestë, u kanë krijuar një kënd përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të pikturuar.
Një nga aktivistët e protestës u shpreh se: “nuk jemi këtu për karrigen e askujt. Jemi për Shqipërinë. Jepini zë figurave dhe intelektualëve. Të tregojmë se ne jemi më me kulturë se ata që kanë 35 vite që shajnë në parlament dhe na tregojnë ne kulturën. Ju lutem, t’i tregojmë kulturën atyre njerëzve, të largojmë partiakët dhe aktivistët”.
Protesta janë mbajtur sot edhe në Shkodër, Elbasan, Fier, Korçë dhe në Zvërnec ku qytetarët u mblodhën për të kërkuar anulimin e projektit.
Kërkesat kryesore të protestës së zhvilluar në kryeqytet edhe në ditën e shtatë të saj ishin: dorëheqja e kryeministrit; shfuqizim i statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë; shfuqizimi i Paketës së Maleve; anulimi i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura si dhe anulimi i ndryshimeve në ligjin për Trashëgiminë Kulturore.
Pas fjalimeve dhe mesazheve të përcjella në podium nga të rinj dhe të reja kryesisht, nga ku dhe u paralajmërua se do të mblidhen sërish nesër në orën 18:00, protesta para godinës së Kryeministrisë përfundoi rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Por disa pjesëmarrës vijuan marshimin nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit duke përsëritur të njëjtat kërkesa.
Dita e 7-të e protestës; Fotoreporterë: Florian Abazaj e Andrin Hoxha 1 nga 49/m.m/r.e/ /a.g/