E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, shpallen 10 personalitetet e vitit 2010



Nga një studiues e publicist shumë i njohur, tek një nxënëse e shkëlqyer; nga një soprano e mirënjohur, tek një shofer shembullor i transportit publik; nga një kompani e suksesshme telefonie, tek kolektivi i një çerdheje; nga golashënuesi më i mirë i kombëtares shqiptare tek një grua heroinë, që punon për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara; nga një artist i shquar, tek një grup pedagogësh vullnetarë, që punojnë me përkushtim e dashuri pranë qendrës “TEN”. Këta janë shembujt e qytetarisë, që vetë banorët e kryeqytetit, me propozimet e tyre, kanë zgjedhur të vendosin në “piedestalin” e vlerave dhe kontributeve. Në një ceremoni modeste, por mjaft domethënëse, Bashkia e Tiranës shpalli 10 personalitetet e vitit 2010, të përzgjedhur pas votimit të vetë qytetarëve të kryeqytetit. I kthyer tashmë në traditën e evenimenteve të Bashkisë së Tiranës, kjo veprimtari u organizua për të katërtin vit radhazi, këtë herë në mjediset e qendrës së re multimediale “TEN”. “Një ceremoni kushtuar qytetarisë në të gjitha nivelet e jetës shoqërore”, e ka quajtur kryebashkiaku Edi Rama prezantimin e fituesve të anketës së këtij viti. Sipas tij, 10 qytetarët e vitit janë shembujt e ardhur që nga sferat më të larta të përpunimit dhe rafinimit të mendimit njerëzor në kulturë e në art, deri në sferat e jetës shoqërore, ku njerëz më pak të njohur, zhvillojnë veprimtarinë e tyre të përditshme, duke u shërbyer të tjerëve përmes një kontributi të posaçëm.
Kryebashkiaku Rama prezantoi 10 personalitetet e këtij viti, të cilët janë:
Piro Misha – studiues (publicist), për botimin “Arratisja nga burgjet e historisë” (ǒdo të thotë të jesh shqiptar).
Piro Misha është një ndër intelektualët më aktivë të viteve të demokracisë në Shqipëri, me një kontribut të vyer në mjaft fusha të jetës shoqërore. Autor i qindra shkrimeve publicistike, botuar në revista dhe gazeta ndër më të rëndësishmet në Shqipëri dhe në Evropë (Francë, Itali, Greqi, Belgjikë). Ai vjen së fundmi me këtë libër-ese mbi kuptimin e identitetit bashkëkohor shqiptar. Botim, i cili i dha dhe këtë vlerësim nga qytetarë të Tiranës, që e kanë votuar.
Orieta Zylalaj – nxënëse e shkëlqyer.
Aktiviste në veprimtarive shoqërore, mjedisore, ndërgjegjësuese. Shprehja e preferuar: “Le t’i shërbejmë sot vendit tonë dhe nesër le të jemi krenarë për të”.
“Eagle Mobile” – një ndër kompanitë më të reja e të suksesshme.
Mbështetëse e rëndësishme e projekteve të ndryshme të Bashkisë së Tiranës për qytetin, si: Pasurimi i këndeve të lojërave, “Një qytetar, një pemë”, rikualifikimi urban i sheshit “Mustafa Qemal Ataturk”. Sipërmarrje, që sipas kryebashkiakut Rama “ka shkuar përtej arsyes së ekzistencës së tyre, që është veprimtaria fitimprurëse dhe që kanë kontribuar për një qytet më të pastër, me më shumë pemë”.
Ramazan Kadri Kokoshi
I vlerësuar si “një shembull i spikatur qytetarie”, me profesion shofer, me një përvojë pune gati 30-vjeçare, me sjellje shembullore ndaj qytetarëve. Ka gati 5 vjet në shërbimin e transportit publik të qytetit dhe është shquar për rregullsinë në detyrë, korrektësinë ndaj komunitetit dhe mbi të gjitha përkushtimin për t’i shërbyer me përpikëri dhe gjithmonë në orar qytetarëve të Tiranës, që frekuentojnë linjën urbane të Tiranës së Re.
Bardhylka Kospiri - drejtoreshë ligjore e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Njerëzve me Aftësi të Kufizuar.
Bardhylka është një grua heroinë, që nuk ka arritur ta ndalë asgjë përpara sfidave të jetës. Pamundësitë fizike nuk kanë fashitur për asnjë moment forcën e vullnetit të kësaj gruaje, si për angazhimet familjare, ashtu dhe për të qenë aktive në shoqërinë civile, në mbrojtje të së drejtave të personave me aftësi të kufizuar. “Me mundësi të kufizuara, por me një vetëdije të pakufizuar dhe me një vullnet të pakufishëm, ne kemi bërë jo pak për njerëz që jo për faj apo përgjegjësisë së tyre, e kanë të pamundur të lëvizin si të gjithë tjerët. Për këtë arsye kanë nevojë për të gjithë të tjerët. Kemi krijuar për herë të parë në një qytet shqiptar, rampat për personat me aftësi të kufizuara, në shumë pika kalimi të këmbësorëve. Sigurisht, thjesht kemi shprehur një vullnet që kemi për të vijuar përpara përpjekjet për këta njerëz” – u shpreh kreu i Bashkisë Edi Rama teksa prezantoi znj. Kospiri.
Alban Bushi – futbollist.
“Vjen nga një zonë e varfër si Kombinati dhe arrin në nivelet më të larta ndërkombëtare” – u shpreh kryebashkiaku Rama, duke iu referuar Alban Bushit. Me një karrierë të gjatë në futboll, është një nga futbollistët më të njohur shqiptarë, që ka veshur fanellën kuqezi të kombëtares sonë. Bushi është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për ngjyrat e kësaj kombëtareje. Ai sot qëndron në radhët e klubit sportiv “Tirana”.
Pedagogët vullnetarë të “TEN-it”
Zhuljeta Manastirliu, Klaudio Juçja, Jola Kotja, Ermonela Alikaj, Bujar Alliu, Mira Alliu, Edlira Çaushi, Denis Bizhga, Alfred Meminaj. Për punë të shkëlqyer dhe vullnetare në ofrimin e kurseve të fëmijëve dhe të rinjve në qendrën “TEN” me përkushtim dhe dashuri. “Një qendër e ngritur për t’u dhënë strehë të rejave, të rinjve të këtij komuniteti, por edhe më gjerë të kryeqytetit” – u shpreh kryebashkiaku Rama, duke iu referuar qendrës “Ten”.
Edi Hila – personalitet i shquar i artit shqiptar.
Me punën e tij jo vetëm që ka arritur të pasurojë trashëgiminë tonë të artit, por dhe ta përçojë këtë trashëgimi në mbarë botën nëpërmjet ekspozitave të shumta, duke veçuar me kënaqësi ekspozitën e suksesshme të këtij viti.
Mariana Leka – soprano.
Soprano e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës. Ka mbi 17 vjet që interpreton si soliste në këtë teatër. E përkushtuar dhe serioze në punën e saj, rreth 20 role kanë marrë jetë bashkë me të, duke i dhuruar publikut artdashës shumë kënaqësi artistike. Viti 2010 do të sillte pas 123 vitesh nga premiera në “La Skala” në Milano, “Otellon” premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku Mariana performoi në mënyrë të shkëlqyer.
Çerdhja numër 10
Edukatoret: Alma Mëhilli, Hajrie Stafa, Edmira Foci, Laureta Saliu dhe drejtoresha e çerdhes Natasha Bezhani.
Për punë të përkushtuar dhe angazhim maksimal në mirushqyerjen, mirërritjen dhe miredukimin e fëmijëve të Tiranës. Një shembull i shkëlqyer i investimit njerëzor, në rritjen e fëmijëve tanë.
Dhjetë emra të rinj iu shtuan në këtë mënyrë atij që mund të quhet panteoni i qytetarisë. Shembuj që duhen promovuar fort, për të qenë udhërrëfyes në jetën tonë të përditshme, për të rinjtë, por jo vetëm. “Kjo është një mënyrë për të vlerësuar dhe nderuar me respekt e mirënjohje bashkëqytetarë të këtij qyteti. Qytetarë të spikatur të Tiranës, që me shembullin dhe kontributin e tyre meritojnë respektin e të gjithëve. Falë kësaj ceremonie, për një moment krijojmë mundësinë që mbi ta të bjerë drita e vëmendjes së opinionit, si edhe përmes medias” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës në mbyllje të ceremonisë.

7 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›