Toni Gogu: Aderimi në Bordin e Paqes, zgjedhje strategjike për Shqipërinë

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, mbrojti në Kuvend vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, duke e cilësuar si një hap strategjik që shkon përtej diplomacisë tradicionale dhe lidhet me mënyrën se si qeveriset rendi i ri botëror.
“Ky debat nuk ka të bëjë thjesht me politikën e jashtme, por me ndërtimin e mekanizmave realë që garantojnë stabilitet dhe paqe në një botë që po përballet me kriza të thella,” – u shpreh Gogu.
Ai argumentoi se përballë konflikteve si Gaza dhe zonave të tjera të tensionit, deklaratat politike nuk mjaftojnë për të siguruar paqen. Sipas tij, ajo që mungon janë mekanizmat e qartë të koordinimit, rregullat, llogaridhënia dhe një qendër përgjegjësie që të drejtojë proceset pas armëpushimeve.
Në këtë kuadër, ministri theksoi se Bordi i Paqes synon të krijojë një strukturë funksionale për mbikëqyrje, mobilizim burimesh dhe stabilizim afatgjatë.
“Shqipëria duhet të jetë pjesë e këtij mekanizmi për tri arsye kryesore: nevojën për koordinim në fazën e stabilizimit, domosdoshmërinë e llogaridhënies dhe shpejtësinë e instrumentit të ri krahasuar me mekanizmat shumëpalësh klasikë,” – tha Gogu.
Ai sqaroi se vendi ynë nuk merr asnjë detyrim financiar në këtë fazë dhe se aderimi forcon pozicionin e Shqipërisë si vend kandidat i Bashkimit Europian, duke e vendosur atë në tryezën ku merren vendime dhe jo jashtë saj.
/rtsh.al/