Torino sfidon Como-n, Fabregas elozhe Asllanit: Është një lojtar i madh!

“Kura” e Kombëtares i ka bërë mjaft mirë Kristjan Asllanit, i cili kishte humbur vendin e titullarit në Torino, pasi në tri takimet e fundit i ka nisur nga stoli.
Paraqitjet me Shqipërinë dhe dëmtimi i Iliç duket se do të shtyjnë Marco Baroni-n që ta aktivizojë mesfushorin shqiptar që nga e minuta e parë na takimin e radhës të Torinos, e cila pret sot në mbrëmje Como-n.
Në vigjilje të këtij dueli trajneri i Como-s, Cesc Fabregas, u pyet për Asllanin pasi në ditët e fundit në mediet italiane u publikua një prapaskenë sipas së cilës për shërbimet e shqiptarit ishte interesuar edhe rivalja e radhës e Torinos. “Mendoj se është një lojtar i madh, ai vjen nga Interi dhe për momentin po kalon një moment të artë pasi ka shënuar edhe gol me Kombëtaren e tij”, tha tekniku spanjoll.