E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tradita e tezgjahut në Has – Kërkesë në rritje, por nuk ka artizane të reja që e duan këtë zanat

Punimet në tezgjah po njohin vit pas viti një kërkesë gjithnjë e në rritje, ku më të preferuara mbeten veshjet popullore sipas krahinave, duke rikthyer vëmendjen te tradita dhe identiteti kulturor.

Në Has, Mane Cahani është një nga artizanet që prej 45 vitesh mban gjallë këtë traditë përmes punimeve të dorës, të realizuara me përkushtim dhe mjeshtëri. Ajo tregon se kërkesa e lartë për këto punime e ka vënë përballë mungesës së fuqisë punëtore, duke theksuar se ka nevojë për krahë pune për të përballuar porositë e shumta.

 Megjithatë, artizania shprehet e keqardhur që vajzat e reja nuk tregojnë interes për të mësuar tezgjahun, qëndisjen dhe punët e dorës, aftësi që dikur trashëgoheshin brez pas brezi nga nënat dhe gjyshet.

Sipas saj, në punishte do t’i nevojiteshin të paktën 10 punonjës dhe ajo shprehet e gatshme të punojë dhe të mësojë vajzat e reja, me qëllim ruajtjen e traditës.

Aktualisht, për shkak se të gjitha punimet i realizon e vetme, klientët duhet të presin deri në dy vite për të marrë porositë e tyre.

Dëshira e saj mbetet mbështetja nga bashkia, përmes krijimit të mundësive që vajzat e reja të mësojnë këtë profesion, të mbulohet mungesa e fuqisë punëtore dhe të ofrohen hapësira që ato të hapin aktivitetet e tyre, duke ruajtur kështu një trashëgimi të çmuar kulturore.

Gazetare : Shkurte Elezaj
/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›