E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikonin armë nga Shqipëria drejt Anglisë, arrestohen dy të rinj në Tiranë, një tjetër në kërkim

Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Metoda”, duke goditur një rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion në zonën e “Bulevardit të Ri” në Tiranë, u zbulua një armë zjarri pistoletë me silenciator, e ndarë në pjesë dhe e fshehur brenda një televizori, me qëllim për ta kaluar jashtë vendit pa u zbuluar.

Policia arrestoi dy shtetas nga Shkodra:

J. S., 26 vjeç

S. M., 20 vjeç

Ndërsa u shpall në kërkim R. A., 20 vjeç, gjithashtu nga Shkodra.

Të dyshuarit vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe kishin si destinacion për armën Anglinë, ndërkohë që drejtuesi i kamionit, sipas policisë, nuk kishte dijeni për ngarkesën e fshehur.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të grupit kriminal, pasi dyshohet se ata mund të jenë të përfshirë edhe në trafikimin e armëve të tjera. Po punohet gjithashtu për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›