Trafikonin në Shqipëri vepra arti të vjedhura në shtetet e Evropës, dy në pranga, një në kërkim

Dy shtetas shqiptarë 20 dhe 30 vjeç, janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër, 42 vjeç është shpallur në kërkim, pasi, të organizuar si grup, trafikonin në Shqipëri objekte me vlera historike dhe kulturore, të vjedhura në shtete të ndryshme të Europës.
Veprat e sekuestruara, piktura, skulptura, ikona, punime druri, dokumente të rralla dhe albume me pulla poste, ruheshin me qëllim shitjen, në banesën e dy pjesëtarëve të grupit kriminal, që rezultojnë të jenë babë e bir.
Përveç veprave, janë sekuestruar edhe dy automjete, të dyshuara për përdorim në transportimin e objekteve, si dhe dy celularë.
Nga kontrolli i banesës në Kamzë, ku jetonin babë e bir, u gjetën, 31 punime druri të gdhendura me motive të ndryshme, 3 skulptura në formë dhëmbi elefanti, 6 piktura të autorëve të huaj, 411 albume me pulla poste të shteteve të ndryshme të botës, një procesverbal origjinal francez, i vitit 1925, objekte të tjera me vlera artistike dhe historike, përfshirë një shpatë metalike, një skulpturë shqiponje, një vazo qelqi dhe një valixhe druri me punime dekorative.
Policia po punon për kapjen e 42-vjeçarit që është shpallur në kërkim ndërsa po hetohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./vizionplus.tv