Trafikonin shqiptarë drejt SHBA për 45 mijë dollarë, SPAK çon në gjyq 5 anëtarë të grupit kriminal

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale nr. 135/2023, që lidhet me një rrjet të mirëorganizuar trafiku të paligjshëm të personave drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas SPAK, hetimet kanë provuar se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal të udhëhequr nga shtetasi Luc Melaj, i cili, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ka organizuar kalimin ilegal të të paktën 25 shtetasve shqiptarë drejt SHBA-së, gjatë periudhës qershor 2022 – korrik 2024.
Të pandehurit dhe akuzat
Në përfundim të hetimeve, janë dërguar për gjykim këta shtetas:
Luc Melaj, për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” në formën e grupit kriminal, “Falsifikim dokumentesh identiteti”, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm”, “Mbajtje pa leje e municioneve” dhe “Kryerje veprash penale nga grup i strukturuar kriminal”.
Gëzim Camaj, për ndihmë në kalim të paligjshëm të kufijve dhe ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj zyrtarëve publikë.
Emanuel Melaj, për ndihmë në organizimin e udhëtimeve dhe transferimin e parave.
Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, të dy me funksione në Policinë e Shtetit, akuzohen për “Shpërdorim detyre”, pasi ndihmuan në mosregjistrimin e personave problematikë në sistemin TIMS në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar më datë 21.10.2025 pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 135 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurve:
Luc Melaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale dhe plotësuar akuza për: “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” për qëllime përfitimi kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal,, “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” në formën e drejtimit dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 298/2 e 28/4; 189/1 e 28/4, si dhe 333/a/1 dhe 334/1; “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë parashikuar nga neni 298/3 I Kodit Penal, “Ushtrim ndikimi i paligjshëm”, e kryer dy herë, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i tretë I Kodit Penal dhe “Mbajtje pa leje e municioneve luftarake”, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit penal.
Gëzim Camaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale, “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal dhe “Ushtrim ndikimi i paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i tretë i Kodit Penal.
Emanuel Melaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ndihmë për Kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal.
Tonin Melaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale, “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Bashkim Çokaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Faktet penale:
Nga të dhënat e hetimeve paraprake ka rezultuar e provuar, ekzistenca e një grupi kriminal, të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, ku drejtues është i pandehuri, Luc Melaj. Ky grup ka organizuar kalimin e paligjshëm përtej kufirit shqiptar të paktën 25 personave, të gjithë shtetas shqiptarë, të cilët kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e SHBA-së. Kjo veprimtari kriminale, zhvilluar nga mesi i vitit 2022 deri në muajin korrik të vitit 2024, është kryer nga më shumë se tre persona dhe ka qenë e paramenduar, e mirëorganizuar dhe me ndarje rolesh konkrete.
Kjo veprimtari kriminale ka konsistuar në:
Takime që janë zhvilluar në Shqipëri, me personat që kanë kërkuar të udhëtojnë jashtë apo me familjarë të tyre, ku sqarohet itinerari i udhëtimit dhe pagesat që duhet të kryhen, të cilat variojnë nga 40.000-45.000 dolllarë për person. Kërkuesit janë kryesisht nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja, me lidhje kryesisht familjare me personat që jetojnë në SHBA.
Sigurimin e dokumentave të identifikimit të falsifikuara, kryesisht franceze, të cilat iu jepen personave që udhëtojnë, pasi ata arrijnë në Spanjë dhe mbarëvajtjen e udhëtimit të tyre në rrugë ajrore deri në Meksikë;
Pritjen dhe akomodimin e tyre në Meksikë dhe transportimin e tyre në rrugë tokësore deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë veprimtari kriminale është përfshirë edhe i pandehuri, Emanuel Melaj, i cili ka qenë në dijeni të këtij aktiviteti dhe ka dhënë ndihmën e tij për rezervimin e biletave, dërgimin në adresat përkatëse si edhe për transferimin e parave.
Nga provat e mbledhura janë dokumentuar gjithashtu raste ku të pandehurit, Luc Melaj e Gëzim Camaj kanë transportuar në mënyrë të paligjshme shtetas shqiptarë duke mos e dokumentuar kalimin e tyre gjate hyrje-daljeve në Malin e Zi. Gjithashtu përmes ndihmës të pandehurit, Tonin Melaj dhe Bashkim Çokaj, punonjës policie, të punësuar pranë pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit, është bërë mosregjistrimi në sisteme përkatëse për shtetasit që kanë pasur probleme të qëndrimit në vendet e BE-së, si dhe për shtetas të tjerë që janë azilkërkues në; Kanada, Mbretëri e Bashkuar, SHBA, me motivacione të ndryshme.
Hetimet për këtë procedim penal janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, Agjencinë Federale, Shërbimi i Sigurisë Diplomatike, Zyrën e Hetimeve Kriminale jashtë SHBA-ve pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Njësinë Speciale “Mburoja e Përbashkët” si dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Hetimet vijojnë për persona të tjerë të përfshirë në këto veprimtari të kundraligjshme.
/vizionplus.tv