Tragjedi hekurudhore në Spanjë, dy trena të shpejtësisë së lartë përplasen në Kordobë, konfirmohen viktimat e para

Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur mbrëmjen e sotme Spanjën. Dy trena të shpejtësisë së lartë janë përfshirë në një përplasje fatale pranë qytetit Adamuz, në provincën e Kordobës (Andaluzi).
Burime zyrtare nga Guardia Civil kanë konfirmuar për agjencitë ndërkombëtare se bilanci paraprak flet për “të paktën dy të vdekur dhe disa të plagosur”, ndërkohë që ekipet e shpëtimit po punojnë në vendngjarje.
Operatori spanjoll i infrastrukturës hekurudhore, Adif, ka zbardhur dinamikën e ngjarjes. Sipas hetimeve paraprake një tren i kompanisë “Iryo”, që po udhëtonte drejt Madridit, ka dalë nga shinat për arsye ende të paqarta.
Inercia e ka shtyrë trenin jashtë trajektores së tij, duke bërë që të kalojë në shinën ngjitur.
Aty është përplasur me një tren tjetër pasagjerësh që po udhëtonte në drejtim të Huelvas, duke shkaktuar daljen nga shinat edhe të këtij të fundit.
Agjencia e lajmeve Efe raporton se zona e aksidentit është e vështirë, ndërsa autoritetet pritet të japin detaje të reja mbi numrin e saktë të pasagjerëve të përfshirë në këtë përplasje të dyfishtë.
/rtsh.al/