E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Greqi/ Shpërthen rafineria e “Motor Oil”, humb jetën 43-vjeçari shqiptar, në gjendje të rëndë bashkëatdhetari (EMRAT)

Ka ndërruar jetë 43-vjeçari shqiptar Robert Cakaj, i cili mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i fuqishëm në ambientet e rafinerisë së kompanisë Motor Oil, në Agioi Theodori të Greqisë, paraditen e së premtes.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, Cakaj nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Ai u transportua në Njësinë e Djegieve në spitalin Thriasio, ku ndërroi jetë.

Ndërkohë, 50-vjeçari Dorian Hysa, i cili gjithashtu mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi, vijon të trajtohet në gjendje kritike, i intubuar në repartin e terapisë intensive.

Nga shpërthimi në rafineri mbetën të plagosur gjithsej pesë punonjës, të cilët, sipas informacioneve paraprake, i përkisnin një kompanie të jashtme kontraktore që po kryente punime në ambientet e rafinerisë.

Si ndodhi shpërthimi

Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, gjatë punimeve të mirëmbajtjes parandaluese në rafineri. Dyshohet se një kapak në një valvul gazi u shkëput, duke shkaktuar shpërthimin e fuqishëm dhe plagosjen e punonjësve.

Pas ngjarjes, të plagosurit u transportuan fillimisht drejt spitalit të Korinthit, ndërsa dy prej tyre, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u dërguan në spitalin Thriasio.

Ndërkohë, kontraktori i kompanisë së jashtme që kryente punimet u shoqërua në komisariatin e Agioi Theodorit. Sipas mediave greke, prokurori ka kërkuar që shoqërimi i tij të kthehet në arrestim.

Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa kompania Motor Oil ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka deklaruar se po bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›