Tragjedi në Ksamil: 22-vjeçari humb jetën pasi u përplas me jet ski me skafin e Policisë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së hënës në Ksamil, ku një 22-vjeçar humbi jetën pas një aksidenti në det. Viktima dyshohet se u përplas me mjetin e tij lundrues tip jet ski me një skaf të Policisë Kufitare që ndodhej i stacionuar në monitorim të hapësirës detare.
Një 22-vjeçar ka humbur jetën në Ksamil pas një aksidenti tragjik të ndodhur në det rreth orës 18:30.
Sipas informacionit paraprak të policisë, shtetasi Albjano Kreçi, banues në Ksamil, ishte duke lundruar me një mjet lundrues tip jet ski kur dyshohet se, për shkak të shpejtësisë së lartë, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare.
Mësohet se skafi i policisë ishte i ndaluar dhe i stacionuar rreth 400 metra larg bregut, në kuadër të monitorimit të hapësirës detare.
Pas përplasjes, 22-vjeçari pësoi dëmtime të rënda. Ai u nxor menjëherë nga deti nga efektivët e Policisë Kufitare dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.
I riu u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Menjëherë pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet procedurale për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit fatal.