E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedi në Mesdhe, mbi 80 emigrantë të zhdukur pas mbytjes së një anijeje të nisur nga Libia

Më shumë se 80 emigrantë dyshohet se kanë humbur jetën në ujërat e Mesdheut Qendror, pasi anija me të cilën po udhëtonin drejt Evropës u përmbys si pasojë e kushteve të vështira të motit. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Migracionin (IOM) konfirmoi të martën ngjarjen e rëndë, duke theksuar se deri më tani janë gjetur trupat e pajetë të dy personave.

Mjeti lundrues kishte në bord rreth 120 persona kur u nis të dielën nga qyteti bregdetar i Tajoura-s, në veriperëndim të Libisë. Sipas informacioneve nga IOM, anija u përball me dallgë të forta dhe u mbush me ujë përpara se të fundosej.

Në një operacion shpëtimi, një anije tregtare dhe një rimorkiator që ndodheshin në zonë arritën të shpëtonin 32 nga pasagjerët. Të mbijetuarit u morën në dorëzim nga roja bregdetare italiane, e cila i transferoi ata drejt ishullit jugor të Lampeduzës, pika kryesore e hyrjes në Evropë për migrantët që kalojnë detin nga Afrika e Veriut.

Libia mbetet një nga pikat kryesore të tranzitit për mijëra njerëz që i largohen luftës dhe varfërisë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, një situatë e rënduar nga kaosi i vazhdueshëm në vend që nga rënia e diktatorit Moamar Gadhafi në vitin 2011.

Kjo ngjarje tragjike pason një tjetër incident të ndodhur vetëm një javë më parë, kur roja bregdetare italiane shpëtoi 58 persona dhe rikuperoi 19 trupa pasi ndërhyri pranë një gomoneje në vështirësi, rreth 80 milje detare në jug të Lampeduzës, gjatë operacioneve në zonën libiane të kërkim-shpëtimit.

2026-a shënon fillimin më vdekjeprurës të vitit

Të dhënat e publikuara nga IOM tregojnë një rëndim dramatik të krizës së migracionit. Muajt e parë të vitit 2026 shënojnë periudhën më vdekjeprurëse në Detin Mesdhe që nga viti 2014. Deri më tani, janë regjistruar të paktën 990 vdekje. Situata është veçanërisht alarmante në rrugën e Mesdheut Qendror, ku 765 persona kanë humbur jetën vetëm këtë vit—një rritje drastike prej rreth 150% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Drejtoresha e Përgjithshme e IOM-it, Amy Pope, vuri në dukje një rritje të ndjeshme të numrit të migrantëve që vijnë nga vende si Bangladeshi, Pakistani, Afganistani dhe Sudani.

“Çështja e njerëzve që kalojnë Mesdheun varet shumë nga ajo që po ndodh në botë,” u shpreh ajo. “Faktorët aktualë si lufta, paqëndrueshmëria, mungesa e aksesit në ushqim dhe dhuna seksuale, janë forcat kryesore që i detyrojnë njerëzit të shpërngulen dhe të ndërmarrin këto udhëtime fatale.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›