Tragjedia në Maliq, dërgohet në QSUT vajza 6- vjeçare. Në gjendje kritike për jetën

Vajza 6-vjeçare, e identifikuar me inicialet N.A., e cila pësoi lëndime të rënda nga tragjedia në Maliq është transportuar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Tiranë për trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, e mitura ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe po trajtohet nga një ekip i specializuar mjekësor në Shërbimin e Terapisë Intensive të Pediatrisë.
“Pacientja u prit në urgjencën e Shërbimit të Djegie-Plastikës nga ekipi mjekësor, i cili ishte në komunikim të vazhdueshëm me mjekët, që e shoqëronin gjatë transportit nga Korça drejt Tiranës.
Pas vlerësimit të gjendjes shëndetësore, e mitura, aktualisht në gjendje kritike për jetën, u hospitalizua menjëherë në Shërbimin e Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUT, ku po trajtohet nga mjekët pediatër, reanimatorë dhe specialistët e djegie-plastikës, sipas të gjitha protokolleve mjekësore në fuqi“, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërkaq, pak minuta, pas mbërritjes së 6 vjeçares, në QSUT ka mbërritur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, e shoqëruar nga drejtoresha e përgjithshme e QSUNT, “Anxhela Paparizo dhe po ndjekin nga afër gjendjen e saj, në komunikim të vazhdueshëm me ekipin e përbashkët mjekësor të Shërbimit të Djegie-Plastikës dhe Shërbimit të Terapisë Intensive të Pediatrisë në QSUNT“
“MSHMS shpreh ngushëllimet për humbjen e pjesëtarëve të familjes dhe po qëndron në komunikim me QSUT, minutë pas minute për gjendjen shëndetësore të së miturës”, thuhet në njoftimin e MSHMS.
Ditën e sotme rreth orës 13:30 mori flakë një banesë në bllokun nr. 3 të qytetit të Maliqit, gjë e cila u ka kushtuar jetën dy personave.
Nënë e bir, Merjeme Azisllari 40 vjeçe dhe Luka Azisllari vetëm 14 vjeç sipas autoriteteve humbën jetën si pasojë e asfiksisë.
Fëmija tjetër, vetëm 6 vjeçe ndodhet në gjendje kritike dhe pas ndihmës së parë në spitalin e Korçës u dërgua për ndihmë më të specializuar në Tiranë.
/rtsh.al/