E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Trashëgimia na dallon”, projekt që synon promovimin e trashëgimisë jomateriale përmes artit

Promovimi i trashëgimisë sonë kulturore jomateriale përmes artit dhe krijimtarisë është në qendër të projektit “Trashëgimia na dallon”, i mbështetur nga Bashkimi Europian.

Ky projekt, i cili aktualisht ndodhet në fazën e aplikimeve për të interesuarit, u prezantua sot në Shkodër në prani të artistëve të rinj, historianëve, mësuesve, kuratorëve dhe profesionistëve të trashëgimisë kulturore.

“Si qëllim, projekti ka dëshirën që të promovojë dhe të inkurajojë artistët, target-grupe të ndryshme, dhe veçanërisht të rinjtë, që të promovojnë kulturën dhe trashëgiminë tonë jomateriale, e cila përbëhet nga rite, tradita, zakone për të cilat jemi krenarë dhe duam që ta çojmë në një nivel tjetër,” tha koordinatorja e projektit, Blerta Tuci.

Sipas drejtuesve të projektit, interesi i artistëve dhe krijuesve nga qarku i Shkodrës pritet të jetë i lartë, për shkak të potencialit të pasur të zonës në trashëgiminë materiale dhe shpirtërore.

“Ne shpresojmë që do të kemi jo vetëm aplikues, por edhe përfitues nga Shkodra. Edhe kur u bë përzgjedhja e vendeve ku do të bënim sesionet fizike të informimit, Shkodra sigurisht që mban vendin e parë për larminë kulturore që përçon, por edhe për pasurinë kulturore që përcjell ndër vite,” u shpreh znj. Tuci.

Skema mbështetëse e projektit do të përfshijë 15 nisma kreative, që synojnë promovimin e trashëgimisë jomateriale përmes dokumentarëve, animacioneve, instalimeve artistike dhe ekspozitave vizuale.

Gazetar: Adrian Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›