E Martë, 3 Nëntor 2026

Tre muajt e parë të 2025 më pak leje ndërtimi, vlera e investimit rritet me 47.6%, kryeson Tirana

Sektori i ndërtimit në Shqipëri, gjate 3 muajve të pare të vitit 2025, ka shënuar rënie. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, janë dhënë gjithsej 258 leje ndërtimi gjatë këtyre 3 muajve, çka shënon një ulje prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u miratuan 311 leje.

Edhe sipërfaqja e parashikuar për ndërtim ka pësuar një tkurrje me 6.3% më pak se tremujori i parë i vitit 2024 . Megjithatë, kjo tendencë nuk është reflektuar në aspektin financiar. Vlera e projekteve ndërtimore, që përfshin si ndërtesat për banim ashtu edhe ato jo-rezidente dhe punimet inxhinierike, ka arritur në 20.1 miliardë lekë, duke shënuar një rritje domethënëse prej 47.6%, nga 13.6 miliardë lekë një vit më parë.

Ndërtesat për banim dominojnë me 188 leje dhe një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 215 mijë m². Ndërtesat jo-rezidente, si hotele, qendra tregtare dhe njësi industriale, përbëjnë pjesën tjetër me 70 leje. Ndërsa ndërtimet inxhinierike paraqiten me një vlerë pak më të ulët.

Tirana vijon të mbetet epiqendra e aktivitetit ndërtimor, duke kontribuar me 72 leje të reja ndërtimi dhe një sipërfaqe prej 201,237 m², ndonëse edhe në këtë qark është shënuar një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Ndërkohë, qarqet Durrës, Vlorë dhe Fier kanë shfaqur rritje domethënëse në vlerën e projekteve ndërtimore, çka sinjalizon zhvendosjen graduale të interesit të investitorëve edhe përtej kryeqytetit, duke reflektuar potencial për zhvillim ekonomik rajonal dhe diversifikim të tregut të ndërtimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›