Tre persona në pranga në Tiranë, sekuestrohen lëndë narkotike, armë dhe para

Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Cargo 2”, në kuadër të një serie operacionesh kundër trafikimit të lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë tre shtetas: E. M., 26 vjeç, I. C., 33 vjeç dhe A. K., 32 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, furnizonin me kokainë disa grupe shpërndarësish në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në Unazë të Madhe, pranë rrethrrotullimit të Tegut, shërbimet e policisë lokalizuan një automjet tip “Escalade” me drejtues shtetasin A. K. dhe pasagjerë E. M. dhe I. C. Gjatë kontrollit në automjet u gjet një pako me 1 kg e 36.6 gramë kokainë.
Kontrolli i banesës së shtetasit A. K. nxori gjithashtu 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, municion luftarak, 121 000 euro, 60 milion lekë dhe 5000 paund, së bashku me 5 aparate celular. Të gjitha këto u sekuestruan si prova materiale, së bashku me drogën dhe automjetin.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/