Tre stacione meteorologjike në ndihmë të fermerëve të Korçës

TIRANË, 30 qershor/ATSH/ Në Qarkun e Korçës janë instaluar tre stacione meteorologjike moderne për të ndihmuar fermerët në kultivimin e mollëve dhe qershive.
Në një postim në rrjetet sociale, kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, e cilësoi këtë zhvillim si një mbështetje konkrete për bujqësinë e këtyre zonave.
Këto stacione do t’u japin fermerëve mjetet e duhura për të marrë vendime të sakta dhe për të kursyer kosto. Gjithashtu do të bëjnë të mundur marrjen e të dhënave në kohë reale, parandalimin e sëmundjeve, duke përdorur më pak pesticide dhe duke marrë më shumë cilësi.
“Fermeri është në qendër të çdo investimi që sjell zhvillim të qëndrueshëm në territor”, u shpreh Filo.
Ky projekt është realizuar nga GIZ Albania dhe WB Adapt, në bashkëpunim me QTTB Korçë, AREB Korçë dhe ADAD Malore, duke sjellë zgjidhje të prekshme për tokën dhe njerëzit. /j.p/
1 nga 4