Tre të huaja thurin traditën, vajzat nga Turqia, Tajvani e Anglia mësojnë trashëgiminë kulturore shqiptare

Korça, qyteti i njohur për artizanatin dhe trashëgiminë e pasur kulturore, ka tërhequr këtë herë tri vajza të huaja, të cilat po mësojnë mjeshtërinë e thurjes së qilimave.
Njëra prej tyre vjen nga Turqia dhe ka një lidhje të veçantë me vendin tonë. Nëna e saj është me origjinë nga Korça, ndërsa babai turk, dhe për këtë arsye ajo e ndien thurjen e qilimave jo vetëm si një pasion, por si një rikthim tek rrënjët e familjes.
“Jam Burxhu, jetoj prej 8 vitesh në Shqipëri. Jam me orgjinë nga Korça. Mami nga Korça e babi nga Turqia e unë jetoj në Tiranë tani. Unë e kam qejf të bëj punëdore e të mësoj diçka shumë ndryshe, kjo është hera e parë për mua. E pëlqeva shumë, është shumë tradicionale. Nuk e di nëse jam mirë por unë kam filluar sot e të shohim, mund të provoj më shumë për projekt më të madh.”
Krahas saj, një vajzë nga Tajvani dhe një tjetër nga Anglia, të dyja të tërhequra nga bukuria e traditave shqiptare, kanë zgjedhur të mësojnë këtë zanat shekullor.
Ato tregojnë se janë dashuruar me motivet, ngjyrat dhe simbolikat e qilimave shqiptarë
“Përherë e pyesja veten a mund të bëj një qilim të bukur kur e pashë për herë të parë te Pazari i Vjetër në Korçë dhe jam shumë e lumtur që po mësoj tani. Me pëlqen tradita shqiptare. Në qoftë se bëj një qilim, do e marr me vete në Tajvan.”
“E pamë online këtë mundësinë dhe përherë kam dashur të mësoj të thur qilima. Erdha kastile nga Tirana në Korçë për të mësuar. E dua traditën shqiptare. Po mësoj sepse jam e interesuar t’i bëj vet një ditë.”
Kjo iniciativë ka nisur nga një sipërmarrje në Korçë, ku vajzat e reja kanë mundësi të mësojnë dijebërjen e qilimave të vjetër çdo javë në Qendrën Rinore, ku tingujt e tezgjahut bashkohen me frymën rinore dhe gjeneratave./vizionplus.tv