Tregu i sigurimeve, 3,54 miliardë lekë fitim në vitin 2025

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Tregu i sigurimeve në Shqipëri shënoi një rezultat rekord gjatë vitit 2025, me fitimin që arriti në 3,54 miliardë lekë, ose rreth 36,6 milionë euro, duke u rritur me 55, 8% krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), rritja e fitimit u ndikua kryesisht nga performanca e segmentit të sigurimeve të Jo-Jetës, ku kompanitë regjistruan një fitim prej 3,14 miliardë lekësh, me rritje 56,3% në bazë vjetore.
Edhe segmenti i sigurimeve të Jetës shënoi përmirësim, me fitimin që arriti në 402 milionë lekë, ose 51,7% më shumë krahasuar me vitin 2024.
AMF bën të ditur se rritja e rezultatit financiar u mbështet nga zgjerimi i primeve të shkruara bruto, të cilat u rritën me 10,6% gjatë vitit 2025. Ndërkohë, primi i fituar neto arriti në 21,25 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 7%.
Tregu i sigurimeve vijon të dominohet nga produktet e Jo-Jetës, të cilat përbëjnë 91% të primeve totale. Brenda sigurimeve të Jo-Jetës, peshën kryesore e mbajnë sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Primet e sigurimit të brendshëm TPL arritën në 16,9 miliardë lekë, ose 68,6% të primeve të këtij segmenti, me një rritje prej 13.3%.
/e.xh/j.p/