E Diel, 1 Nëntor 2026

“Trialog” në RTSH, Zogaj: 21 Janari lindi i zbardhur, u errësua për të fshehur krimin shtetëror

Ngjarja e “21 janarit” ka qenë në qendër të emisionit “Trialog” në RTSH. Analisti Preç Zogaj, i ftuar në panelin e drejtuar nga Alba Alishani, ka bërë një analizë të ngjarjes së 15 viteve më parë, duke e cilësuar atë si një “krim shtetëror”.

Sipas Zogajt, hetimi i kësaj çështjeje nuk është thjesht një kërkesë politike, por një detyrim ligjor i vulosur nga drejtësia ndërkombëtare.

“Kështu e ka përkufizuar Gjykata e Strasburgut. Mbi bazën e këtij vendimi, Gjykata e Lartë i ka kërkuar SPAK-ut ta hetojë si krim shtetëror,” theksoi ai.

Për analistin, paradoksi i 21 Janarit qëndron te fakti se dinamika e vrasjes ishte e qartë që ditën e parë, por hetimi u devijua qëllimisht.

“Ky është një krim që ka lindur i zbardhur dhe ka ardhur duke u errësuar. Ka ndjekur rrugën e kundërt të asaj që ndodh zakonisht me hetimet,” tha Zogaj.

Ai përdori një metaforë për të përshkruar pafajësinë e viktimave: “Historinë e 21 Janarit e kanë shkruar kufomat. Mjafton të shohim se ku janë vrarë: një në krah të bulevardit, një tjetër duke parë kryeministrinë, një tek stenda e gazetarëve. Nuk janë vrarë as brenda rrethimit, as duke u përleshur me Gardën.”

Prishja e provave dhe roli i FBI-së

Zogaj u ndal gjatë te manipulimi i skenës së krimit dhe provave, duke i cilësuar veprimet penguese si vepra penale më vete. Ai rikujtoi ekspertizën e FBI-së, e cila zbuloi ndërhyrjet flagrante.

“FBI ka hetuar armët dhe arriti në përfundimin se njërës armë i është ndërruar tyta. Serveri i Kryeministrisë është fshirë. U është dhënë kohë vrasësve për të prishur provat,” deklaroi Zogaj.

Sipas tij, refuzimi i urdhrit të Prokurores së Përgjithshme për ndalimin e oficerëve përgjegjës në kohë reale ishte gjithashtu një akt kriminal.

“Të pengosh hetimin është krim. Kjo është e qartë dhe s’ka nevojë për hetim të thellë për ta kuptuar,” shtoi ai.

Në fund, Zogaj rrëzoi argumentin e vetëmbrojtjes së institucioneve, duke u bazuar te momenti kur ndodhën vrasjet.

“Vrasjet nuk ndodhën kur kishte përplasje të dhunshme. Ata u vranë pasi protesta po shkrehej. S’ka pasur asnjë arsye për t’i vrarë, pasi nuk kishin hyrë në Kryeministri,” përfundoi analisti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›