E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritol në oborrin e një banese në Memaliaj. Policia heton ngjarjen, autorët djegin automjetin gjatë largimit

Shpërthim me tritol ka ndodhur në oborrin e një personi në fshatin Toç të Memaliajt.

Në oborrin e banesës së shtetasit B. K., 67 vjeç, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar dëme materiale. Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar.

Sipas informacioneve paraprake, autorët e dyshuar, pas kryerjes së veprës, janë larguar me automjet. Në aksin rrugor “Krahës–Memaliaj”, pranë fshatit Qesarat, ata dyshohet se kanë djegur automjetin me të cilin lëviznin dhe më pas janë larguar në këmbë, për të shmangur ndjekjen.

Shërbimet e Policisë së Memaliajt kanë nisur menjëherë kontrollet e zonës për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprime intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia ka siguruar se po punon për identifikimin e autorëve dhe për kapjen e tyre, ndërsa hetimet pritet të zbulojnë motivet dhe lidhjet e mundshme të kësaj ngjarjeje me raste të tjera kriminale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›