Tronditen republikanët në Teksas, demokratët fitojnë vend në Senat për herë të parë që nga viti 1988

Demokrati James Talarico ka fituar një nga garat më të rëndësishme elektorale në Teksas, duke mposhtur republikanin Ken Paxton dhe duke shënuar një fitore historike për Partinë Demokratike. Për herë të parë që nga viti 1988, demokratët arrijnë të fitojnë një vend në Senatin amerikan në këtë shtet, i konsideruar prej dekadash si një bastion i republikanëve.
Fitorja e Talaricos konsiderohet një nga surprizat më të mëdha të zgjedhjeve të këtij viti dhe pjesë e valës së rezultateve që i kanë dhënë demokratëve kontrollin e plotë të Kongresit amerikan.
Talarico, ish-mësues dhe aktualisht ligjvënës në Teksas, e ndërtoi fushatën e tij kryesisht mbi rritjen e kostos së jetesës dhe pakënaqësinë e qytetarëve ndaj drejtimit të vendit nga republikanët. Ai arriti të fitojë mbështetje pavarësisht shpenzimeve të mëdha të kundërshtarit të tij, fushata e të cilit u mbështet edhe nga miliarderi Elon Musk, i cili kontribuoi me 158 milionë dollarë përmes një organizate politike. Në total, gara për Senatin në Teksas u shndërrua në më të kushtueshmen në historinë amerikane, me mbi 500 milionë dollarë të shpenzuara.
Pas shpalljes së fitores, Talarico u prit me entuziazëm nga mbështetësit e tij në Austin, ku deklaroi se demokratët kishin rimarrë Teksasin. Ai theksoi se paratë nuk mund të mposhtin vullnetin e qytetarëve, duke e krahasuar fitoren e tij me historinë biblike të Davidit dhe Goliathit.
Në humbjen e republikanëve ndikuan edhe skandalet e shumta që kanë shoqëruar Ken Paxton, ndërsa pakënaqësia ndaj politikave të Donald Trump, veçanërisht tarifave tregtare, kostos së jetesës dhe emigracionit, duket se ka larguar një pjesë të votuesve nga republikanët.
Një rol të rëndësishëm në rezultatin përfundimtar kanë luajtur edhe votuesit hispanikë, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë së Teksasit dhe që këtë herë kanë shfaqur mbështetje më të madhe për demokratët.