E Diel, 1 Nëntor 2026

“Tronditëse”, Beqiri kritikon Gjykatën Speciale: U ngrit mbi bazën e lobimit të Serbisë me ndihmën e Rusisë

TIRANË- Gjykata Speciale ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me një total prej 81 vitesh burgim katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas vendimeve, avokati Idajet Beqiri ka kritikuar ashpër mënyrën e krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke e cilësuar procesin si kontrovers.

Sipas Beqirit, krijimi i kësaj gjykate është shoqëruar me një sërë problematikash dhe, sipas tij, ajo është ngritur mbi bazën e një qëllimi të caktuar. Avokati pretendoi gjithashtu se krijimi i Gjykatës Speciale ishte rezultat i një lobimi të Serbisë, me ndihmën e Rusisë, duke përmendur edhe ish-raportuesin e Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Beqiri ngriti akuza edhe në lidhje me dëshmitarët dhe materialet mbi të cilat, sipas tij, janë ndërtuar dosjet e proceseve gjyqësore.

Ai kritikoi gjithashtu faktin që proceset zhvillohen në Hagë dhe jo në Kosovë, duke e konsideruar territorin si një element të rëndësishëm në ushtrimin e drejtësisë.

“Krijimi i asaj gjykata ishte kontroverse në shumë pikëpamje. Ajo është një gjykata, e cila në thelbin e vet ka absurditet dhe kuptohet se është bërë me një qëllim të caktuar. U ndërtua mbi bazën e një lobimi të jashtëzakonshëm nga Serbisë me ndihmën e Rusisë dhe ata arritën të gjenin dhe makanizmat brenda Këshillit të Evropës duke vënë në lëvizje Dick Marty dhe sajuan një akuza të tillë me shpifje, e cila realisht trondiste.

Përgatiten dosje me shpifje, thashetheme dhe njerëz të blerë të cilët arritën të ktheheshin në dëshmitarë sikur kishin përjetuar vetë ato krime të UÇK dhe këto dosje për fatin e keq i ndërtuan për fat të keq shqiptarët, por shqiptarët në thonjëza.

Është një gjykata që nga çdo lloj pikëpamje, edhe me ligjet ndërkombëtare është e paligjshëm, sepse nuk mund të ngresh dot për të gjykuar krimet siç pretendon në një vend të caktuar, dhe që kjo gjykata nuk e  ushtron  veprimtarinë e saj aty ku ngrihet, d.m.th. në Kosovë. Territori është kryesorja. Ajo nuk ka asnjë lloj personeli nga Kosova”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›