Tronditëse në Qipro! 43-vjeçari sirian zhvati partneren e tij 61-vjeçare, e vrau dhe e hodhi në pus

Një ngjarje e rëndë është zbardhur në Limasol të Qipros, ku një 43-vjeçar sirian dyshohet se ka vrarë partneren e tij 61-vjeçare, Olga Vasilieva, dhe më pas ka hedhur trupin e saj në një pus në zonën malore të Saittas.
Burri pranoi para hetuesve autorësinë e krimit dhe i çoi ata në vendin ku kishte fshehur trupin e viktimës, e cila ishte shpallur e zhdukur më 28 tetor. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se motivi i vrasjes lidhet me përfitimin financiar, pasi 43-vjeçari i kishte marrë para gruas përmes mashtrimit, duke pretenduar se i nevojiteshin për të dëmshpërblyer një person pas një aksidenti automobilistik.
Ai i kishte kërkuar shuma nga 15 mijë deri në 20 mijë euro, ndërsa i kishte dhuruar edhe një gjerdan të falsifikuar, të cilin e kishte paraqitur si bizhuteri me vlerë rreth 10 mijë euro. Dyshimet për zhdukjen e Olgës u shtuan pasi qeni i saj lehte vazhdimisht në apartament, ndërsa pronarja nuk shfaqej, dhe një fotografi e siguruar nga djali i saj, ku 43-vjeçari shihej me kafshën, ndihmoi policinë të identifikonte të dyshuarin.
Ekzaminimet e para mjeko-ligjore zbuluan një dëmtim në kokën e viktimës, që dyshohet se është shkaktuar nga një objekt i fortë, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga autopsia. Hetuesit po analizojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë, ku një person shihet duke vendosur diçka në bagazhin e një automjeti, si dhe tërheqjet e shumave të konsiderueshme nga llogaritë bankare të 61-vjeçares.
I dyshuari u arrestua në aeroportin e Larnakës, teksa përgatitej të udhëtonte drejt Bejrutit, pasi kishte blerë biletën në orët e para të 29 tetorit, dhe pritet të dalë para gjykatës për akuzën e vrasjes me paramendim.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb