E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump: Irani kërkon marrëveshje – SHBA dislokon aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani po kërkon të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin, në një kohë kur prania ushtarake amerikane në rajon është forcuar ndjeshëm. Në një intervistë për median amerikane Axios, Trump tha se situata me Iranin është në ndryshim. Ai u ndal te mbërritja e asaj që e quajti një “armadë e madhe” pranë Iranit.

Kjo i referohet dislokimit të një grupi goditës me aeroplanmbajtëse në Lindjen e Mesme. Sipas Trump, Teherani ka tentuar disa herë të kontaktojë SHBA-në. “Ata duan të bëjnë një marrëveshje dhe kanë telefonuar për të folur”, tha presidenti amerikan.

Të hënën, SHBA dislokoi grupin goditës të aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln në rajon. Komanda Qendrore Amerikane deklaroi se prania synon të forcojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Ndërkohë, Irani po përballet me protesta të forta që prej fundit të dhjetorit. Demonstratat nisën në Teheran për shkak të rënies së vlerës së monedhës dhe krizës ekonomike.

Trump ka paralajmëruar më herët se do të reagojë ashpër nëse protestuesit dëmtohen, por më pas zbuti tonet duke thënë se janë anuluar qindra ekzekutime. Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SHBA-në dhe Izraelin për nxitjen e trazirave dhe kanë paralajmëruar për një përgjigje të shpejtë ndaj çdo sulmi. Tensionet vijnë pas luftës 12-ditore të vitit të kaluar, e cila përfundoi me një armëpushim të shpallur nga Uashingtoni.

Gazetar: A. Mata

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›