Trump: Ishim të informuar për planin e Izraelit, Irani të bëjë marrëveshje para se të jetë tepër vonë

Presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi sot për “Wall Street Journal” se ai ishte informuar për sulmin e Izraelit, ndërsa e cilësoi atë si një sulm të butë dhe të suksesshëm.
Gjithashtu presidenti amerikan paralajmëroi Iranin që të bëjë sa më shpejt një marrëveshje për programin e vet bërthamor para se gjërat të bëhen edhe më keq.
“Ende ka kohë që kjo kasaphane… të përfundojë. Irani duhet të bëjë marrëveshje, para se të mos mbetet asgjë, dhe ta shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane… THJESHT BËJE, PARA SE TË JETË VONË”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.
Gjithashtu Trump i tha Reuters në një intervistë telefonike se nuk është e qartë nëse Irani ka ende një program bërthamor pas sulmeve izraelite në vend.
Më tej ai shtoi se SHBA-të kanë planifikuar bisedime bërthamore me Iranin të dielën, por se nuk është i sigurt nëse ato do të zhvillohen ende, ndërsa shtoi se nuk është tepër vonë që Irani të bëjë një marrëveshje.
“U përpoqa ta shpëtoja Iranin nga poshtërimi dhe vdekja”, tha Trump.
Pas sulmit të Izraelit gjatë natës së të premtes, Irani u përgjigj duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. Ushtria e Jordanisë tha se ka rrëzuar disa prej tyre në hapësirën e vet ajrore.
Ndër objektet e goditura në Iran ishte edhe një komandë e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e IRGC-së, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas agjencisë iraniane të lajmeve, Tasnim.