Trump: Shtyva sulmin ndaj Iranit pas kërkesës së vendeve të Gjirit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se ka vendosur të shtyjë një sulm ushtarak ndaj Iran, i cili sipas tij ishte planifikuar për të martën, pas kërkesës së udhëheqësve të Katar, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se vendimi erdhi pasi po zhvillohen “negociata serioze” dhe se ishte informuar për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje “shumë të pranueshme” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai theksoi se kushti kryesor mbetet që “Irani të mos ketë armë bërthamore”.
Megjithatë, Trump paralajmëroi se SHBA-ja është e gatshme të ndërmarrë “një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë” ndaj Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme.
Tensionet në rajon janë përshkallëzuar që prej 28 shkurtit, kur forcat amerikane dhe izraelite nisën sulme masive ajrore ndaj Iranit. Në përgjigje, Teherani ndërmori sulme me dronë dhe raketa ndaj objektivave izraelite dhe amerikane në rajonin e Gjirit.
Shtetet arabe të Gjirit druhen se një përshkallëzim i mëtejshëm mund të sjellë hakmarrje të ashpër nga Irani, i cili zotëron një arsenal të madh dronësh dhe raketash. Objektiva potencialë konsiderohen aeroportet, impiantet petrokimike dhe impiantet e desalinizimit që furnizojnë me ujë të pijshëm vendet e Gjirit, veçanërisht në kulmin e temperaturave të larta të verës në rajon.
/rtsh.al/