E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump: Ukraina mund të rimarrë të gjithë territorin me ndihmën e BE dhe NATO

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se beson se Ukraina mund të rimarrë të gjithë territorin që ka humbur që nga agresioni rus i vitit 2022, në një nga deklaratat më të forta që kreu i Shtëpisë së Bardhë ka bërë në mbështetje të Kievit.

Trump e dha vlerësimin e tij optimist duke pretenduar se Rusia është në vështirësi të mëdha ekonomike, në një postim në Truth Social pas takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Nju Jork.

“Pasi e njoha dhe e kuptova plotësisht situatën ushtarake dhe ekonomike Ukrainë/Rusi dhe, pasi pashë problemet ekonomike që kjo situatë po i shkakton Rusisë, mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Europian është në gjendje të luftojë dhe ta FITOJË të gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale. Me kohë, durim dhe mbështetjen financiare të Evropës dhe, në veçanti, të NATO-s, kufijtë origjinalë nga ku filloi kjo luftë, janë një mundësi e madhe. Pse jo?”, tha Trump.

Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Trump përsëriti kërkesën për vendet e Bashkimit Europian që të ndalojnë blerjet e naftës dhe gazit rus me qëllim dobësimin ekonomik të Moskës.

Ai gjithashtu konfirmoi angazhimin e Uashingtonit për të vazhduar furnizimin me armë të NATO-s që aleanca të bëjë çfarë të dojë me to. Qëndrimet e fundit të kreut të Shtëpisë së Bardhë janë mbështetur nga presidenti Zelensky i cili tha se Trump po e kupton tashmë situatën në terren.

“Trump kishte një marrëdhënie me Putin dhe i besonte atij. Putin i tregonte Trump përralla. I thashë Trump se Putin nuk do të presë fundin e luftës së tij në Ukrainë, ai do të përpiqet të gjejë një pikë të dobët në NATO dhe kjo tashmë po ndodh. Putini do të dojë ta ndërrojë një luftë me një tjetër”, u shpreh Zelensky.

Edhe kryediplomatja europiane Kallas përshëndeti qëndrimin e Trump duke thënë se tani ka një mirëkuptim më të madh BE-SHBA. /vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›