E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump akuzon Obamën për “tradhti”, për komplot kundër fitores së tij 2016, reagon ish-Presidenti

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar paraardhësin e tij, Barack Obama, për “tradhti”, duke pretenduar se ai ka planifikuar një komplot për të sabotuar presidencën e tij që në fillim, përmes akuzave për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

“Ata tentuan të na vidhnin zgjedhjet,” deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë, duke akuzuar Obamën se ka tentuar të minojë fitoren e tij ndaj Hillary Clinton.

Një zëdhënës i Obamës reagoi ashpër, duke e quajtur sulmin e Trump “një përpjekje të dëshpëruar për të devijuar vëmendjen”.

Trump iu referua një raporti të publikuar javën e kaluar nga Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, e cila pretendon se administrata Obama dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare kishin ndërmarrë një “grusht shteti shumëvjeçar” kundër presidencës Trump akuza që demokratët i kanë cilësuar si të pavërteta.

Deklaratat e Trump vijnë ndërsa ai po përballet me pyetje të shumta nga gazetarët lidhur me Jeffrey Epstein, trafikantin e dënuar seksual që vrau veten në burg në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin.

“Gjuetia e shtrigave për të cilën duhet të flisni është fakti se kapën ish-presidentin Obama në flagrancë,” tha Trump për gazetarët. “Ai është fajtor. Kjo ishte tradhti. Çdo fjalë që mund të përdorni, e përshkruan këtë.”

Ai i bëri këto deklarata teksa priste në Zyrën Ovale presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr.

Zëdhënësi i Obamës, Patrick Rodenbush, tha në një reagim të rrallë: “Nga respekti për institucionin e presidencës, zakonisht nuk reagojmë ndaj keqinformimeve që dalin rregullisht nga kjo Shtëpi e Bardhë. Por këto pretendime janë aq absurde saqë meritojnë një përgjigje. Janë të pabaza dhe një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga problemet reale.”

Raporti i inteligjencës i publikuar të premten përmban email-e të deklasifikuara mes ndihmësve të Obamës, të cilat pretendojnë se ata kanë shtypur informacionin që tregonte se Rusia nuk kishte arritur të depërtonte në sistemet zgjedhore amerikane.

Një përmbledhje e përditshme e ish-presidentit Obama nga shërbimet e sigurisë, e datës 8 dhjetor 2016, deklaron: “Vlerësojmë se aktorët rusë dhe kriminelë nuk ndikuan në rezultatet e zgjedhjeve përmes aktiviteteve kibernetike keqdashëse ndaj infrastrukturës zgjedhore.”

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›