Trump i sulmoi ashpër liderët dhe i konsideroi ‘të dobët’/ Reagon BE: Jemi krenarë për udhëheqësit tanë. Kremlini në mbrojtje të…

“Do të përmbahem nga komentimi mbi këto deklarata, përveçse për të konfirmuar se jemi shumë krenarë dhe mirënjohës që kemi udhëheqës të shkëlqyer, duke filluar me udhëheqësen e këtij institucioni, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Jemi vërtet krenarë për ata që na udhëheqin në adresimin e shumë sfidave me të cilat përballet bota.”
Kështu deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian Paula Pinho, e pyetur në konferencën e përditshme për shtyp në lidhje me sulmet e Trump se BE-ja është një grup kombesh në rënie të udhëhequra nga njerëz të dobët.
“Ndjenja e miliona evropianëve është e qartë: ne jemi krenarë për udhëheqësit tanë. Ne kemi shumë udhëheqës të tjerë në krye të 27 Shteteve Anëtare që janë pjesë e këtij projekti evropian, këtij projekti paqeje dhe që po e udhëheqin Unionin me vendosmëri përballë të gjitha vështirësive që po përjetojmë, brenda dhe përtej fqinjësisë sonë. Në vitet e fundit, jemi përballur me një numër të madh sfidash: nga lufta që përfshin fqinjin tonë, Ukrainën, deri te kriza energjitike që e ndjemë kaq fort dhe të cilën arritëm ta kapërcejmë së bashku.”, shtoi ajo.
Këshilltari i Putinit: Presidenti i SHBA po thotë të vërtetën për evropianët
Donald Trump po thotë të vërtetën për udhëheqësit evropianë. Kështu deklaroi Kirill Dmitriev, këshilltari presidencial rus për investimet e huaja dhe negociatori me Shtetet e Bashkuara, në një postim në rrjetin social X në lidhje me intervistën e presidentit amerikan me Politico.
Dmitriev citon konkretisht disa nga deklaratat e Trump, duke përfshirë: “Mendoj se ata janë të dobët, por gjithashtu mendoj se ata duan të jenë politikisht korrektë… Evropa nuk di çfarë të bëjë”.
Në intervistë, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se për Ukrainën, evropianët “flasin, por nuk prodhojnë (rezultate) dhe lufta thjesht vazhdon”.