E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump intensifikon kontaktet për Ukrainën / Telefonon Zelenskyn dhe Putinin: SHBA kërkon armëpushim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi biseda telefonike të ndara me homologun ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atë rus Vladimir Putin, në një moment kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë mbetur në harresë.

Presidenti ukrainas e cilësoi telefonatën me Trump si shumë të mirë, duke bërë të ditur se fillimisht e uroi homologun amerikan për festën kombëtare të 4 Korrikut dhe më pas diskutoi me të situatën në vijën e frontit, ku luftimet vazhdojnë me intensitet.

Sipas Zelensky, të dy udhëheqësit ndajnë bindjen se ekziston një perspektivë reale për t’i dhënë fund konfliktit dhe kanë rënë dakord të vijojnë kontaktet gjatë Samitit të NATO, që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.

Trump zhvilloi edhe një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas Kremlinit, telefonata zgjati një orë e 25 minuta dhe gjatë saj Putin e uroi presidentin amerikan për Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Ndihmësi i Putin, Yuri Ushakov, bëri të ditur se dy liderët diskutuan edhe për konfliktin në Ukrainë dhe pjesëmarrjen e pritshme të Trump në Samitin e NATO-s në Ankara. Sipas Kremlinit, presidenti amerikan rikonfirmoi gatishmërinë e tij për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi sa më të shpejtë dhe për të mbështetur gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit.

Zhvillimet diplomatike vijnë vetëm pak ditë pasi Rusia ndërmori një nga sulmet më të rënda ndaj Kievit në javët e fundit, ku humbën jetën të paktën 30 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Nga ana tjetër, forcat ukrainase goditën objekte të infrastrukturës së naftës pranë Shën Petersburgut.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›