Trump me Emirin e Katarit: Përpjekjet për stabilizim në Gazë po avancojnë, së shpejti vendosen forca ndërkombëtare

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se përpjekjet për të stabilizuar situatën në Gazë po përparojnë dhe se një forcë ndërkombëtare do të vendoset së shpejti.
Këtë deklaratë, Trumpi e bëri pas një takimi me Emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani, gjatë një ndalese në Doha.
“Kjo duhet të jetë një paqe e qëndrueshme”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet për situatën në Gazë.
Ai tha se Katari do të jetë i gatshëm të kontribuojë me trupa për mbajtjen e paqes nëse nevojitet dhe falënderoi vendin e Gjirit si një aleat të madh dhe lojtar kyç në stabilitetin rajonal.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u takua me Emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, në bord të Air Force One.
Trump e vlerësoi Al Thanin si “një nga sundimtarët e mëdhenj të botës, jo vetëm të Lindjes së Mesme”.
“Ai është i dashur dhe i respektuar nga vendi i tij. Nuk e di çfarë është më e rëndësishme, të të duan apo të të respektojnë?”, pyeti Trump emirin.
Presidenti i SHBA-së më pas iu drejtua kryeministrit të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, të cilin e quajti “mikun tim dhe një mik të botës”.
Duke u drejtuar drejt dy udhëheqësve Katarit, Trump tha se “ne kemi bërë shumë bashkë, veçanërisht vitin e fundit… Paqe për Lindjen e Mesme, dhe ata ishin një faktor shumë i madh në të”.
“Ne shprehim falënderimet tona dhe ju keni një Lindje të Mesme të sigurt tani, dhe do ta mbani ashtu për një kohë shumë të gjatë”, shtoi Trump.
Ky takim vjen në një moment kyç, ndërsa negociatat për planin e paqes në Gaza vazhdojnë me Katarin si ndërmjetës kryesor.
Trump falënderoi publikisht Katarin për rolin e tij në ndërmjetësim, duke theksuar se “çfarë kemi bërë është e pabesueshme – paqe për Lindjen e Mesme”.
/rtsh.al/