Trump nënshkruan urdhrin ekzekutiv, u ndalon presidentëve të ardhshëm të ndryshojnë Zyrën Ovale! E shpall monument kombëtar

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që sipas tij do t’i ndalojë presidentët e ardhshëm të bëjnë ndryshime të caktuara në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Trump, një ish-manjat i pasurive të paluajtshme, ka ndryshuar në mënyrë drastike pamjen e zyrës zyrtare të presidentit gjatë mandatit të tij të dytë, veçanërisht duke shtuar shumë elementë prej ari.
“Po e bëjmë monument kombëtar dhe nuk do të lejohet të preket nga askush, të shkatërrohet, të shembet, me qëllim që të ndërtohet diçka në një formë paksa të ndryshme”, u tha Trump gazetarëve të enjten.
Urdhri vjen muaj pasi Trump shembi të gjithë Krahun Lindor të Shtëpisë së Bardhë në një projekt që është përballur me sfida ligjore.
Projekti u miratua gjithashtu nga Kongresi i SHBA-së. Ndërtimi ka vazhduar, me plane për ta shndërruar hapësirën në një sallë të re vallëzimi.
Presidentët amerikanë aktualisht kanë fuqinë për të bërë disa ndryshime në Shtëpinë e Bardhë, por projektet e mëdha kërkojnë lejen e Kongresit.
Urdhri ekzekutiv, të cilin Trump e nënshkroi të enjten, e shpall Zyrën Ovale monument kombëtar, së bashku me disa nga dhomat përreth saj.
Dokumenti thotë gjithashtu se nuk “e kufizon autoritetin e Presidentit për të ridekoruar monumentin, për të zgjedhur mobiljet ose për të bërë modifikime të zakonshme operative dhe të sigurisë që nuk dëmtojnë ndjeshëm strukturën historike ose karakterin arkitektonik të monumentit”.
“Na pëlqen Zyra Ovale dhe është një simbol, si vetë Shtëpia e Bardhë. Është një simbol i vendit tonë dhe i madhështisë së vendit tonë”, tha Trump, duke shtuar se udhëheqësit botërorë që e kanë vizituar në muajt e fundit e kanë përgëzuar për ndryshimet e tij dekorative në dhomë.
Trump tha se Shtëpia e Bardhë dhe Zyra Ovale kishin pasur nevojë për riparime para ndryshimeve të tij, duke i quajtur ato “të dëmtuara rëndë”. Ai përshkroi dritare të thyera, mure të çara dhe gurë të thyer.
Megjithatë, shumë nga ndryshimet e dukshme ishin kozmetike, duke përfshirë një pllakë të madhe ari ku shkruhej “Zyra Ovale” jashtë hapësirës, shtrimin e Kopshtit të Trëndafilave dhe shtimin e një piste të re për helikopterë.
Trump tha se urdhri do ta “bënte të pamundur që dikush të shkatërrojë këtë hapësirë të jashtëzakonshme”.
Lajme të Sugjeruara