E Martë, 3 Nëntor 2026

Trump shpërthen ndaj kandidatit demokrat për bashkinë e New York: Komunist i çmendur!

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj fitores së Zohran Mamdanit, përfaqësuesit të krahut të majtë radikal të Partisë Demokratike, i cili fitoi garën për kandidatin zyrtar për kryetar bashkie të qytetit të Nju Jorkut, duke mposhtur edhe ish-guvernatorin Andrew Cuomo.

Përmes një postimi në rrjetin e tij Truth Social, Trump e cilësoi Mamdanin si “një komunist të çmendur 100%” dhe e akuzoi për lidhje me grupimin “AOC+3”, si dhe për mbështetje nga senatori Chuck Schumer, të cilin e talli si “Cryin’ Chuck”.

“Demokratët e kanë kaluar çdo kufi. Kemi pasur radikalë të majtë më parë, por kjo është qesharake. Ai duket keq, nuk është i zgjuar dhe ka një zë të padurueshëm”, shkroi Trump. “Po, ky është një moment i errët për historinë e Amerikës!”

Trump: “Demokratët të kandidojnë Jasmine Crockett për presidente!”

Në një postim tjetër ironik, Trump sugjeroi që Partia Demokratike të kandidojë Jasmine Crockett për presidente dhe AOC me grupin e saj si nënpresidente.

“Mjafton të fusni në kabinet figura si Zohran Mamdani, kryetari i ardhshëm komunist i Nju Jorkut, dhe vendi do të jetë përfundimisht i shkatërruar,” shkroi Trump me tone sarkastike.

Kritika edhe nga brenda Partisë Demokratike

Fitorja e Mamdanit ka ngjallur reagime të forta edhe nga vetë demokratët. Deputetja Laura Gillen deklaroi:

“Fushata e tij është e ndërtuar mbi premtime të paarritshme dhe rritje taksash. Mamdani ka kërkuar të shkurtojë buxhetin për policinë dhe ka bërë komente shqetësuese antisemitike. Ai është zgjedhja më e gabuar për qytetin e Nju Jorkut.”

Ndërkohë, edhe kongresmeni Tom Suozzi tha se kishte “shqetësime serioze” ndaj kandidaturës së Mamdanit, arsye për të cilën kishte mbështetur kundërshtarin e tij në zgjedhje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›