E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump zbulon mesazhet private nga Macron dhe shefi i NATO-s për Groenlandën, reagimet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar në rrjetin e tij social “Truth Social” pamje ekrani të mesazheve private që ai thotë se i ka marrë nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, lidhur me çështjen e Groenlandës dhe politikën e jashtme amerikane.

Mesazhi nga Emmanuel Macron

Trump postoi një screenshot të një mesazhi nga Macron, të shoqëruar me mbishkrimin:
“Shënim nga Presidenti Emmanuel Macron, i Francës.”

Në mesazh shkruhet pjesërisht:

“Miku im,
Jemi plotësisht në një linjë për Sirinë.
Mund të bëjmë gjëra të mëdha për Iranin.
Nuk e kuptoj çfarë po bën për Groenlandën.”

Një burim i afërt me presidentin francez i ka konfirmuar CNN-it se mesazhi është autentik dhe se përmbajtja e tij është në përputhje me qëndrimet publike të Macron.

Tensione Francë-SHBA

Ditët e fundit, Macron e ka quajtur “të papranueshme” kërcënimin e Trump për vendosjen e tarifave tregtare lidhur me Groenlandën. Ai gjithashtu refuzoi ftesën e Trump për t’iu bashkuar “Bordit të Paqes” që do të mbikëqyrte rindërtimin e Gazës.

Kur u pyet për refuzimin e Macron, Trump u përgjigj ashpër:
“Askush nuk e do atë,” dhe ngriti mundësinë e vendosjes së tarifave deri në 200% për verën dhe shampanjën franceze.

Një burim pranë Macron i tha CNN-it se:
“Kërcënimet me tarifa për të ndikuar politikën tonë të jashtme janë të papranueshme dhe joefektive.”

Mesazhi i publikuar nga Mark Rutte

Në një postim tjetër, Trump publikoi gjithashtu një screenshot të një mesazhi që pretendohet se është nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ku ky i fundit e lavdëron Trumpin dhe shpreh angazhimin për të gjetur një zgjidhje për Groenlandën.

Mesazhi thotë, ndër të tjera:

“Zoti President, i dashur Donald – ajo që ke arritur sot në Siri është e jashtëzakonshme.
Do t’i përdor angazhimet e mia mediatike në Davos për të theksuar punën tënde atje, në Gaza dhe në Ukrainë.
Jam i përkushtuar të gjejmë një rrugë përpara për Groenlandën.
Me padurim pres të të shoh.
I yti, Mark.”

Trump e shoqëroi këtë postim me mbishkrimin:
“Faleminderit Mark Rutte, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s!”

Reagime dhe verifikim

CNN ka bërë të ditur se nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e mesazhit nga Rutte dhe ka kontaktuar Zyrën e Shtypit të NATO-s për koment.

Trump tha gjithashtu se kishte zhvilluar një telefonatë shumë të mirë me Rutte dhe se ishin dakordësuar për një takim me “palët e ndryshme” gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Rutte ka qenë edhe më parë publikisht komplimentues ndaj Trumpit, duke e lavdëruar për rolin e tij në nisjen e bisedimeve për Ukrainën dhe Rusinë, si dhe duke e quajtur sulmin e Trump ndaj programit bërthamor të Iranit “jashtëzakonisht mbresëlënës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›