E Martë, 3 Nëntor 2026

Tryezë e rrumbullakët me krerët e arkivave të rajonit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me drejtues të arkivave të rajonit, për të shkëmbyer ide dhe përvoja mbi veprimtarinë e përbashkët në fushën e arkivistikës.

Në takim morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve arkivore të Egjiptit, të Turqisë, të Izraelit, si edhe të vendeve të Ballkanit, të Europës Lindore dhe Jugore.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Shqiptare, Ardit Bido, u shpreh se arkivat kanë mundur të tejkalojnë kufijtë shtetërorë, duke arritur një shkëmbim kulturor të domosdoshëm për të kuptuar të shkuarën historike.

“Nuk mund të shkruajmë historinë e shqiptarëve pa patur dokumente nga arkivat osmane, pa dokumentet e arkivave të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Moldavisë, të Kosovës, pa dokumentet e rilindasve tanë në Rumani, në Bullgari apo në Ukrainë.

Arkivat, duke qenë trashëgimi e pazëvendësueshme, janë përgjegjëse për ruajtjen, për administrimin dhe shërbimin e dokumenteve dhe nuk mund ta përmbushim këtë detyrë pa bashkëpunim dhe transparencë, me qëllim që të administrojmë në mënyrë eficente materialet që zotërojmë”, tha Bido.

Më tej drejtori i DPA renditi investimet e bëra në digjitalizim, në restaurim, në vendruajtjen e dokumenteve, në aksesin online për të gjithë etj. Bido premtoi se në fund të vitit, do të publikojë videotekën që zotëron DPA-ja. Po ashtu, do të çelet Muzeu Arkivor, ku edhe të huajt do të kenë mundësi të krijojnë një këndshikim mbi historinë dhe jetën e shqiptarëve.

Ky takim u zhvillua në kuadër të aktiviteteve që po mbahen me rastin e 75-vjetorit të themelimit të DPA-së. Në një kalendar të ngjeshur kushtuar këtij përvjetori jubilar, do të mbahet një ceremoni kremtuese, si edhe do të organizohet Konferenca e VIII Mbarëkombëtare e Arkivistikës.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›