Turizmi veror në Voskopojë, natyra, historia dhe tradita tërheqin vizitorë të shumtë

Voskopoja vijon të mbetet një nga fshatrat turistikë më të preferuar në juglindje, duke tërhequr gjatë verës vizitorë vendas dhe turistë të huaj. E vendosur vetëm 18 kilometra larg Korçës, kjo zonë ofron një kombinim të veçantë mes natyrës, historisë, kulturës dhe traditës.
Peizazhet malore, ajri i pastër, rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë karakteristike prej guri janë ndër elementët që e bëjnë Voskopojën një destinacion të veçantë për ata që kërkojnë të largohen nga zhurma e qyteteve dhe të shijojnë qetësinë e natyrës.
“Më pëlqen natyra dhe të gjitha shtëpitë. Kishat janë shumë të bukura dhe me plot histori”.
“Restaurimi që është bërë dhe kohët e fundit mua më pëlqen shumë se është një gjë shumë interesante që nuk është se i gjejmë në të gjitha vendet këtë bukuri për pjesën e kishave”, thanë disa vizitorë.
Krahas bukurive natyrore, turistët vizitojnë edhe kishat dhe monumentet e kulturës, të cilat dëshmojnë historinë dhe trashëgiminë e pasur të Voskopojës. Turistët e huaj, veçanërisht përmes guidave të organizuara, shfaqin interes për të njohur nga afër këto pasuri historike.
“Ne vijmë nga Parisi dhe vizitojmë Voskopojën për herë të parë. Jemi ndalur këtu pasi mësuam se ka disa kisha që mund të vizitojmë dhe ajo që na tërhoqi më shumë vëmendjen ishte kisha e Shën Thanasit”, tha një turist.
Krahas turizmit kulturor, Voskopoja ofron edhe mundësi për ecje në natyrë, eksplorimin e shtigjeve dhe shijimin e kulinarisë tradicionale, duke e bërë destinacion të përshtatshëm për familje, grupe turistësh dhe të apasionuarit pas natyrës.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/