U akuzua për korrupsion, GJKKO shpall të pafajshëm ish-shefin e Rrugores Roven Zeka

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli sot vendimin në ngarkim të të pandehurve Roven Zeka, Sokol Novaku, Edison Tabaku, Ergest Vrioni dhe Blendi Belba.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Etleva Deda dhe Elsa Ulliri, ndërsa çështja u gjykua me procedurë të shkurtuar.
Ish-drejtori i Policisë Rrugore, Roven Zeka u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit pasiv, pasi nuk u provua kryerja e veprës penale.
Ndërkohë, i pandehuri Edison Tabaku u shpall fajtor për “korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim. Ai u dënua fillimisht me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite burgim, të cilat do t’i vuajë në një institucion të sigurisë së zakonshme.
Po për të njëjtën vepër penale u shpall fajtor edhe Sokol Novaku, i cili u dënua me 3 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite burgim. Gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe vënien e tij në shërbim provë për 4 vite.
Ergest Vrioni u dënua për akuzën e “korrupsionit aktiv”, me 1 vit e 6 muaj burgim, dënim që u ul në 1 vit për shkak të procedurës së shkurtuar. Edhe në këtë rast, gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe vënien në provë për 2 vite.
Ndërsa Blendi Belba u shpall fajtor për veprën penale “moskallëzim krimi” dhe u dënua me 1 vit burgim, i reduktuar në 8 muaj. Gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe detyrimin për të kryer 60 orë punë në interes publik brenda 6 muajve.
/m.q/r.e/