E Diel, 1 Nëntor 2026

U arrestua në Dubai/ Kush është Bujar Sefa, pjesë e grupit “Rraja” që trafikuan 2.4 tonë drogë drejt BE

DUBAI- Arrestohet në Dubai Bujar Sefa, i shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit “Rraja”.  Ai u shpall në kërkim nga SPAK më 15 dhjetor 2025 si pjesë e një grupi, i cili  kishte trafikuar 2.4 tonë kanabis dhe kokainë drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Më herët, Sefa i kishte shpëtuar arrestimit nga policia gjatë një operacioni në fshatin Nojë, ku u sekuestruan 145 kilogramë hashash dhe municion luftarak.

Po ashtu telashet e tij me drejtësinë nuk janë vetëm në Shqipëri.

Ai është në kërkim dhe nga autoritetet italiane, pasi është dënuar në Itali me 12 vjet e 9 muaj burg, ndërsa i janë konfiskuar pasuri me vlerë deri në 346 mijë euro.

Nga dosja hetimore rezulton se Bujar Sefa, i njohur edhe si Xaka, kishte rol drejtues në një grup kriminal që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike.

Nga përgjimet e kryera,  ai kujdesej për punëtorët e angazhuar në parcelat e kanabisit./abcnews.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›