E Hënë, 2 Nëntor 2026

U merrte para pacientëve për të kryer ekot, arrestohet mjeku imazherist në Fier

TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ Policia e Fierit arrestoi një mjek imazherist të spitalit rajonal në Fier, pasi u merrte shuma parash pacientëve për të kryer ekot.

Arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Imazheria” pas një hetimi 4-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë Fier,.

Policia njoftoi sot se Prokuroria e Fierit, regjistroi procedimin penal më 1 korrik të këtij viti, për veprën penale të dyshuar “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, hetim i cili pas 4 muajsh u finalizua me arrestimin në flagrancë të shtetasit G. T., 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në spitalin rajonal Fier.

Sipas policisë “ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale”.

Gjithashtu, njoftoi më tej policia mjeku shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në 2 klinika private në Fier.

“Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma e lekëve që 66-vjeçari i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin si edhe shuma prej 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollar që iu gjetën gjatë kontrollit të banesës”, njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›